LIRIA - LLAPI
Fitore e Llapit ndaj Lirisë në Prizren
14 April, 2018 @16:59
Në një mot tejet të mirë dhe në një fushë shumë të përshtatshme për lojë, skuadra e Llapit u tregua më e mirë sesa ajo e Lirisë, duke e mposhtur këtë të fundit me rezultat 1-2 në Prizren.
Pjesa e parë e ndeshjes kaloi pa gola, përkundër tentimeve nga të dyja skuadrat për ta gjetur golin, ndërsa më e bukur për futbolldashësit ishte pjesa e dytë.
Në minutën e 64’ të ndeshjes, gjyqtari kryesor Genc Nuza akordoi penallti për mysafirët, penallti e cila në gol u shndërrua nga Mirlind Daku, i cili përveç që ia dha epërsinë skuadrës së tij, e shënoi golin e 12 sezonal, për t’u ngjitur kështu në vendin e parë në tabelën e top-golashënuesve të Superligës.
Pak minuta më vonë, për dyshifimin e epërsisë u përkujdes Mentor Zhdrella, i cili me një goditje nga një distancë tejet e madhe shënoi një gol tejet të bukur për 0-2.
Gjithsesi, vendasit nuk u dorëzuan me kaq. Epërsia e mysafirëve u ngushtua nga zëvendësuesi Mevlan Zeka, i cili shënoi me kokë pas asistimit të Basriut, për ta bërë ndeshjen edhe më interesante.
Në 10 minutat e fundit të duelit, gjakrat ‘u nxehën’ edhe më tepër, gjë që rezultoi në dy përjashtime me karton të kuq te skuadra e Llapit, mirëpo kjo nuk ndikoi në epilogun final të ndeshjes dhe takimi u mbyll me fitoren e mysafirëve.
Kjo fitore bën që Llapi të ngjitet mbi Lirinë në tabelë, ndërsa kjo e fundit merr edhe një ‘goditje’ sa i përket luftës për titull.