5 PËR VIKEND
5 ndeshje që vendosin
Shkruan: LUAN MORINA
14 April, 2018 @7:49
Pesë duele, njëra më interesante se tjetra. Nga të gjitha ligat kryesore europiane, duele që mund të vendosin, ose pritet të vendosin për ekipet dhe kampionatet!
Barcelona – Valencia (e shtunë, ora 4e15)
Pas fitores së mbrëmshme, Betis barazon Valencinë për formën më të mirë aktual në La Liga. Kjo formë e Valencisë mund të marr fund kundër Barcelonës në Camp Nou, vetëm një javë pasi kanë kaluar në pozitën e tretë në renditje. Ose, mund të shfrytëzojnë hutinë momentale tek ‘blaugranat’ për të bërë një befasi eventuale për t’i shkaktuar humbjen e parë Barcelonës.
Humbja e Barcelonës në Romë ishte e çuditshme!
Tottenham – Manchester City (e shtunë, ora 15n9)
Çka janë 500 milion të shpenzuara në transferime për dy vite kur në fund merr titullin e kampionit të ligës më të mirë në botë. Ani pse kjo nuk ndodh në duelin direkt ndaj rivalit të qytetit kur lëshon epërsinë prej 2-0, dhe pastaj eliminohesh nga rivali tjetër në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Duhet më shumë investime dhe mjaftojnë ndeshjet e Phil Fodenit në Kupën e Ligës, dhe talentit të sjellur nga Leverkuseni, i cili nga mesfushori është kthyer në mbrojtës të majtë, rezervë e një konvertimi të ngjashëm të Fabian Delph.
Asnjë nga këto nuk të humbin termin e një trajneri gjenial i cili për tri vite në Bayern i ka dhuruar dy gjysmëfinalistëve tjerë të Ligës së Kampionëve, dy nga mesfushorët më të mirë sot, pothuajse falas – Toni Kroos e Emre Can.
Sidoqoftë, fitorja ndaj Tottenhamit të Mauricio Pochettinos do të ishte ngushëllim i mjaftueshëm për kurorëzimin me titull. Apo jo?
Milan – Napoli (e diel, ora 3)
Dyqind e tridhjetë milion euro transferime për të mbetur në pozitën ku ishin vitin e kaluar – të gjashtën! Plani i kinezëve në përvjetorin e parë si pronarë të rinj të Milanit nuk është duke funksionuar aspak – sipas milanistëve nostalgjikë të transferimeve të super-yjeve si Sokratis, Kevin Constantone, e Bakaye Traore. Mos të harrojmë edhe Taye Taiwon e Aly Cissokhon, dhëmbët e të cilit nuk kanë shfaqur problem në asnjërën prej gjashtë ekipeve tjera ku ka vazhduar karrierën pas testit mjekësor të dështuar tek Milani!
Rossonerët duket të kenë një plan, i cili më së shumti kontestohet nga vet rossonerët dhe mbi të gjitha mediat italiane, të cilat nuk hezitojnë të lavdërojnë punën e Sarrit i cili me njërën nga mesfushat më të mira në Evropë nuk arrin të largoj nga fronin Juventusin as këtë sezon. Fitorja ndaj Chievos ishte mrekulli e çasteve të fundit. Në Milano do të duhej të kryenin punën më herët, sidomos karshi 14 lojtarëve të përdorur nga Gattuso, të cilët janë ‘këputur’ në këtë ekip pa rotacion. Kanë shpenzuar 230 milion euro, por nuk duhet të shpenzojnë më, sepse edhe ashtu Gattuso po luan me vetëm 14 lojtarë!
Nëse loja bëhet bajate në ora 3e30 mund të kaloni në përballjen ndërmjet Schalkes dhe Borussias së Dortmundit.
Galatasaray - Basaksehir (e diel, ora 6)
Me pikët që kanë humbur nga ekipet e fundit, si mysafir, Galatasaray do të dilte nesër në fushë për të festuar titullin. Nuk do e bëjnë këtë. Përkundrazi, Basaksehir mund të marr një fitore vitale drejt titullit të parë në histori, dhe një Ligë e Kampionëve nga e cila këtë vit i kishte eliminuar një shtyllë e Adebayorit do të ishte e mirëseardhur për futbollin turk.
Futbollin turk, i cili është mbi 800 milionë euro borxhe të ekipeve, të cilat do e lënë sipas të gjitha gjasave Galatasarayin vitin e ardhshëm jashtë Evropës. Ky është rezultati i ekipeve publike të cilat ndërrojnë kryesinë më së voni në tri vite, dhe secili për të dëshmuar veten vjen me transferime të shtrenjta, kontrata të këqija, dhe lë më pas miliona në borxhe. Titulli në Turqi edhe këtë vit do t’i shkoj Besiktasit.
Lazio – Roma (e diel, ora 15n9)
Të dyja ekipet vijnë nga ndeshje komplet të kundërta në mes-javë. Roma vjen pas një dominimi total në Olimpico ndaj Barcelonës, arenë ku ishin mposhtur fundjavën e kaluar befasisht nga Fiorentina. Lazio vjen pas gafave të Strakoshës i cili nuk mund të fajësohet i vetëm në humbjen nga Salzburgu i Valonit.
Të dy ekipet kanë shumë në tavolinë për të luftuar të dielën, dhe kjo vetëm sa pritet të nxeh situatën si në terren ashtu edhe në tribuna.