Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

KOSOVA - SLLOVENIA

Fitore e sllovenëve në Prishtinë, ecuria negative vazhdon

Foto: FFK

Fitore e sllovenëve në Prishtinë, ecuria negative vazhdon


11 October, 2020 @22:37

Pas humbjes me Maqedoninë e Veriut pak ditë më parë në kuadër të Play Off-it të Ligës së Kombeve, Kosova sonte pësoi humbje 0-1 nga Sllovenia në Prishtinë.

Ndeshja e luajtur sonte ishte e vlefshme për fazën grupore të edicionit 2020/2021 të Ligës së Kombeve, ndërkohë që u zhvillua pa shikues për shkak të pandemisë, gjë që dukshëm ndikoi edhe në paraqitjen e lojtarëve.

Ndonëse pa shumë raste të krijuara, ndeshja nisi mirë për Kosovën, por pas një shpërqëndrimi të fazës defansive të Kosovës, golin e para arriti ta gjejë përfaqësuesja sllovene, që shënoi përmes mesfushorit të Zaragozës, Haris Vuckic, në minutën e 22’.

Pas golit të pësuar Kosova reagoi me disa goditje të njëpasnjëshme nga Zeneli, Celina e Paqarada, por që të gjitha këto u mbrojtën nga Jan Oblak, një prej portierëve më të mirë në botën e futbollit.

Pjesa e parë u mbyll me një gabim të Fidan Alitit, që për fat të mirë nuk na kushtoi me gol dhe skuadrat shkuan në pushim pranë rezultatit 0-1.

LIGA E KOMBEVE- TABELAT

E pjesa e dytë nuk dhuroi shumë.

Sllovenët në njërën anë e menaxhonin mirë epërsinë, e në anën tjetër Kosova nuk krijoi shumë për shënim dhe kështu ndeshja u mbyll me fitoren e mysafirëve 0-1, rezultat i cili bën që Kosova tashmë të ketë 6 humbje në 7 ndeshjet e fundit, përfshirë edhe miqësoren me Suedinë. Rezultati tjetër nga këto 7 takime është barazimi me Moldavinë.

Kështu, pas 3 xhirove të zhvilluara në grupin e Kosovës në Ligën C, Greqia e Sllovenia prijnë me 7 pikë, kurse Kosova e Modavia mbesin me nga 1. Duke qenë se dy vendet e para duken “të zëna” tashmë, Kosova në tri ndeshjet e mbetura të Ligës së Kombeve këtë edicion do të luftojë me Moldavinë për të mos e mbyllur grupin në vendin e fundit, rrjedhimisht për të mos rënë prapë në Ligën D.

Pas 3 ditëve (14 tetor), Kosova luan si mysafire ndaj Greqisë, ndeshje të cilën gjithashtu e luan pa yjet e formacionit bazë: Rrahmanin, Kryeziun, Rashicën e Muriqin, mungesat e të cilëve këtë muaj dhe në përgjithësi ndeshjeve të fundit patën rol të dukshëm në rënien e formës.


 
Të gjitha lajmet nga Liga e Kombeve