MALISHEVA 1-2 ULPIANA
Fitore që i nxjerrë nga fundi i renditjes
23 October, 2021 @15:11
Fitorja e sotme për Ulpianën në Malishevë ka qenë e dyta këtë stinor, por e rëndësisë së madhe për ekipin lipjanas, pasi që me këtë kanë dalë nga fundi i tabelës së Superligës, duke ia lënë pozitën e dhjetë Feronikelit.
Ulpiana është treguar shumë më kërkuese në Liman Gegaj sot dhe kjo ka dhënë frytet e saja, duke arritur të mposhtin Malishevën, që pësoi për herë të pestë këtë stinor 1-2 [Gentrit Ulluri 89p. - Marclei Santos 15, Ardi Shala 48].
Braziliani Santos i dha epërsinë lipjanasve në fillim të ndeshjes, pas një harkimi të bukur nga e majta dhe një kërcimi të lartë të tij, që gjeti këndin e portës së malishevasve për epërsi 0-1 (15).
Ulpiana pati edhe disa tentime nga Santos i disponuar sot, ndërsa në pjesë të dytë pikërisht një goditje e tij pasi që u dëbua nga portieri Gashi, gjeti Ardi Shalën afër që shënoi për 0-2 (48). Goli i Shalës u dha fillimisht ofsajd, por pas rishikimit rreth 7-minutësh nga VAR, u pranua si i rregullt.
Deri në fund, Malisheva tentoi disa herë dhe krejt që arriti ishte ulja e epërsisë përmes penalltisë së shënuar nga zëvendësuesi Gentrit Ulluri që hyri në minutën 65-të në ndeshje për ta zëvendësuar Hasan Hysenin në sulm.
Me këtë fitore, Ulpiana kalon në pozitën e nëntë, ndërsa Malisheva është e gjashta në renditje për momentin.