GJILANI 1-0 FERONIKELI
Blerim Krasniqi vendimtar, Gjilani lider
23 October, 2021 @15:02
Skuadra e Gjilanit që drejtohet nga Ismet Munishi ka arritur të dalë në vend të parë të klasifikimit në Superligë, pas fitores minimale të shënuar sot ndaj Feronikelit në shtëpi.
Golin e vetëm dhe vendimtar në ndeshjen e dominuar nga Gjilani e ka shënuar mesfushori Blerim Krasniqi, që ka qëlluar me kokë në portën e mysafirëve pas krosimit të Armend Halilit në minutën e 19 të pjesës së dytë të ndeshjes për fitoren 1-0 [Blerim Krasniqi 64].
Furishëm e kishte nisur Gjilani ndeshjen duke ditur rëndësinë e tri pikëve, ndërsa rastet e shumta në pjesë të parë u kurorëzuan edhe me tundje rrjete, por goli i Albert Dabiqajt u anulua pas shikimit në VAR.
Gjithsesi, në pjesë të dytë vendosmëria e të kuqve nga Anamorava shihej dhe goli i parë sezonal i Krasniqit bëri të veten, karshi Feronikelit të pa shumë gjasa sot.
Me fitore, Gjilani merr kryesimin në renditje tabelare deri nesër, duke pritur rezultatet nga ndeshjet tjera, ndërsa për Feronikelin kjo ka qenë humbja e shtatë sezonale dhe me këtë bien në fund të tabelës.