BYLBYL SOKOLI
Fitorja i dedikohet Pajazitit
7 November, 2015 @15:26
Në deklaratën e tij pas ndeshjes, trajneri i ri i Gjilanit, Bylbyl Sokoli, ka thënë se fitorja e sotme e ekipit të tij i dedikohet ish trajnerit të bardhekuqëve, Sadat Pajaziti.
“Fitorja i dedikohet Sadat Pajazitit. Gjilani ka luajtur për të sot. Gjithashtu, për çdo fitore të ardhshme ai do të ketë merita, derisa për humbje do të marr përgjegjësinë unë,” ka shtuar Sokoli në prononcimin e tij për Radio Kosovën pas ndeshjes së sotme.
Gjilani mposhti Drenicën përmes penalltisë së realizuar nga Besnik Krasniqi në minutën e 75-të të takimit sot.
“Besoj që do të nxjerrim maksimumin si ekip. Unë gjeta këtu një grup lojtarësh që dëshirojnë të punojnë shumë dhe me këtë që po shoh, besoj se rezultatet nuk do të mungojnë këtu,” ka thënë ndër të tjera Sokoli, kur u pyet për të ardhmen e ekipit.
Gjilani aktualisht është në pozitën e dytë të klasifikimit, derisa të zhvillohen të gjitha ndeshjet e kësaj xhiroje. Sokoli u emërua dje trajner i ri i Gjilanit.