GRUPI C: FRANCA - AUSTRALIA
Teknologjia sjell fitoren e Francës
16 June, 2018 @13:24
Franca ka fituar ndeshjen e parë të Grupit C të Botërorit ndaj Australisë sot, 2-1, vetëm falë teknologjisë.
Trekolorët që nuk treguan shumë nga loja e tyre, patën disa gjysmëraste, që lehtë mbroheshin nga portieri australian Mat Ryan.
Derisa, në pjesë të dytë Franca kaloi në epërsi përmes golit të Antoine Griezmannit nga penalltia. Referi i ndeshjes vendimin për penallti e mori pasi që e shikoi video inçizimin, pasi që gjatë ngjarjes nuk e referoi atë.
Por, posa Franca kapi epërsinë 1-0, australianët barazuan përmes një penalltie, së cilës nuk iu desh teknologjia VAR, fare.
Mile Jedinak, duke u bërë kapiteni i parë australian që shënon në dy Botërore radhazi barazoi rezultatin në 1-1.
Më pas, derisa loja po kalonte me një baraspeshë dhe nuk kishte raste konkrete… ka qenë teknologjia e linjës së golit (GLT) që dha golin e radhës për Francën, pasi që goditja e devijuar e Paul Pogbas kishte kaluar vijën fatale të portës së Ryanit, por referi nuk e kishte parë.
Franca nis Grupin me 3 pikë, por nuk bindi shumë me lojë. Derisa Australia bëri më shumë sesa që pritej.