EUROPA LEAGUE
Fund me fat për austriakët, mposhtet Kukësi
14 July, 2016 @22:42
Skuadra e Kukësit ka pësuar humbje në ndeshjen e parë të rrethit të dytë të kualifikimeve në Europa League.
Kuksianët u mposhtën nga skuadra Austria Wien, me rezultat minimal 1-0, në ndeshjen që u zhvillua në Ernst-Happel Stadion të kryeqytetit të Austrisë.
Dallimi në rezultat u krijua në minutën 24’, kur pas një topi të humbur në mesfushë nga futbollistët e Kukësit, vendasit erdhën me shpejtësi në portën e Enea Koliçit, i cili u mposht nga braziliani Felipe Pires.
Shtylla e ndal Eminin
Austria Wien kishte edhe raste tjera shënimi, mirëpo në fund ata iu lutën fatit, kur në kohën shtesë Izair Emini u gjend në pozitë të volitshme për të shënuar, por gjuajtja e tij u ndal në shtyllë.
Kukësi në këtë ndeshje ishte i përforcuar me treshen e huazuar nga Skënderbeu, Liridon Latifi, Sabien Lilaj dhe Masato Fukui, mirëpo as ky fakt nuk ishte i mjaftueshëm që skuadra të kthehet në shtëpi me ndonjë rezultat më pozitiv.
Ndeshja e kthimit luhet javën e ardhshme, më 21 korrik, në stadiumin Elbasan Arena.