5 PËR FUNDJAVË!
Fundjava me ragbi, futboll e Superbowl
Shkruan: Luan MORINA
2 February, 2018 @21:11
Pos futbollit, dy muajt e ardhshëm mund të kënaqeni edhe me turneun e 6 Kombeve të ragbit. Dy titujt e fundit të Anglisë kanë larguar ‘albionët’ nga Uellsi, të cilët këtë vit presin të kthehen në piedestal për herë të parë që nga viti 2013. Franca ‘agjëron’ që nga viti 2010, Skocia që nga viti 1999, e Italia që nga fillimi. Irlanda duket të jetë e vetmja që mund t’i vihet ballë Anglisë dhe Uellsit. E irlandezët kanë përballjen më të vështirë këtë javë të parë, kur ndeshen me Francën të shtunën 15n6. Të shtunën Uellsi hap këtë edicion me ‘Green Green Grass of Home’, kur presin skocezët në ora 3e15. Të dielën anglezët duhet të kenë një sfilatë në Romë kundër italianëve.
1. Freiburg – Leverkusen (e shtunë, ora 3e30)
Rezultati në vjeshtë kishte qenë bindshëm në favor të ‘farmaceutëve’. Aranguiz, Brandt e Volland që kishte pasur fillimin e sezonit më të mirë në karrierë kishin demoluar Freiburgun e Abrashit. Mesfushori i Shqipërisë është kthyer nga lëndimi duke gjetur vendin kyç në mesfushën e Freiburgut, të cilët pas fitores ndaj Leipzigut, kanë barazuar në ‘Signal Iduna Park’, për t’u larguar edhe më shumë nga zona e rrezikshme. Në këtë zonë gjenden dy futbollistët tanë – Mërgim Mavraj me Hamburgun, të cilët ndeshen me Hannoverin të dielën në mbrëmje dhe Milot Rashica, i cili pritet të paraqitet për herë të parë për Bremenin kundër Schalkes të shtunën pasdite.
2. Arsenal – Everton (e shtunë, ora 6e30)
Theo Walcott shënoi dy gola për Evertonin në mesjavë, duke kaluar një mes-javë më të mirë se ish-ekipi i tij, i cili ka sjellë edhe dy emra sipëror këtë afat në pozita të përafërta me Walcottin. Ky moment i tij do të lë edhe më shumë në hije Cenk Tosunin, i cili s’besoj që mund të arrijë 5 gola këtë sezon në Premier League, para se të kthehet si huazim në Besiktas – ngjashëm siç ka bërë Evertoni me Sandro Ramirezin.
Monreal ka shënuar po aq gola sa Ozili dhe Mkhitaryani e Iwobi së bashku. Si qendërmbrojtës në mbrojtje treshe, spanjolli ka pasur një sezon të shkëlqyeshëm. Me ardhjen e Aubameyang, dhe Lacazette tashmë aty, kjo detyrë do të duhej t’i kalonte lojtarëve të specializuar për këtë çështje. Golat s’do të duhej të jenë problem tash e tutje, edhe pse edhe në ndeshjen e parë në ‘Goodison Park’ nuk kanë qenë problem, 5-2 ndaj Koemanit! Arsenali duhet të marr kohën të ndërtohet dhe të provoj Europa Leaguen që të arrijnë në Ligën e Kampionëve dhe eventualisht të tentojnë titullin, i cili s’do të duhej të ishte mision i çmendur me dy emra të rinj në mbrojtje. Allardyce duhet t’i shfaq më shumë probleme ‘topçinjve’ se që kishte bërë Koeman.
3. Verona – Roma (e diel, ora 12e30)
Roma nuk është në momentet më të mira, dhe ky pushim nga Evropa e Kupa e Italisë nuk është shfrytëzuar siç duhet. Si shumica e ekipeve italiane, edhe këta kanë probleme jashtë terrenit, dhe këto po pasqyrohen goxha mirë në fushë. Humbjet nga Atalanta e Sampdoria s’do të duhej të ishin aq befasuese, por fitorja mungon që nga dhjetori kur kishin mposhtur Cagliarin. Dzeko është larg formës së vitit të kaluar, e Schick nuk është kërkah!
Në anën tjetër Verona ka befasuar Fiorentinën javën e kaluar. Si vendas kanë mposhtur edhe Milanin në të njëjtën datë kur Roma ka shënuar fitoren e fundit, por edhe janë mposhtur së fundmi nga ekipe si Crotone. Kanë sjellë Matosin dhe Petkovicin nga rivalët në Serie A dhe që të dy qysh në ndeshjen e dytë me Veronën kanë asistuar, e Kean ka talentin, veç i duhet një pjekuri e kujdesshme, jo diçka si Balotelli, edhe pse kanë të njëjtin agjent. Do të jetë një përballje interesante, nëse nuk mbaron në 30 minutat e para të lojës.
4. Liverpool – Tottenham (e diel, ora 5e30)
Tridhjetë e një minuta të Dejan Lovrenit në fushë kishin mjaftuar që Kane dhe Son të shënonin për të siguruar epërsinë e hershme dhe si rrjedhojë edhe fitoren e thellë. Kësaj radhe nuk kanë arsyetime për mbrojtje me transferimin e Virgil Van Dijkut. Përkundrazi, duhet të vazhdojnë këndelljen nga takimi me Huddersfieldin dhe të nxjerrin rezultat pozitiv që mund të rezultojë vital për kualifikimin në Ligën e Kampionëve.
E njëjta vlen edhe për Tottenhamin, të cilët vijnë të frymëzuar pas fitores ndaj Manchesterit. Megjithatë. mendoj që Chelsea ka më shumë gjasa të mbetet jashtë Ligës së Kampionëve se sa këto dy ekipe. E Liverpooli dhe Tottenhami, të udhëhequr nga dy trajnerë që preferojnë lojën e bukur dhe të hapur, duhet të ofrojnë një shfaqje të mirë të dielën mbrëma në ‘Anfield Road’.
5.Monaco – Lyon (e diel, ora 9)
Lyon ka mposhtur PSG-në në terminin kryesor në Ligue 1 para dy javëve në njërën nga ndeshjet më të bukura në futbollin francez këtë sezon. Javën e kaluar, Monaco arriti të nxjerrë barazim në ‘Velodrome’. Këtë të diele, Monaco pret Lyonin në ‘Stade Louis II’, aty ku mysafirët kishin fituar në kuadër të Kupës së Francës para dhjetë dite. Tashti në peshore është kualifikimi për Ligën e Kampionëve dhe sigurisht që përkushtimi është më i madh.
E njëjta peshore është edhe në ‘Wanda Metropolitano’, ku Atletico përballet me Valencinë, me vendasit në tentim për të ruajtur hapin tashmë të humbur me Barcelonën, dhe mysafirët për të qëndruar më larg ‘nëndetëses së verdhë’ të Villarrealit, të cilët kanë shënuar katër fitore radhazi, përfshirë edhe ndaj Realit të Madridit.
Edhe nëse nuk ju mjaftojnë gjithë këto ndeshje, 35 minuta pas mesnate (të dielen pas mesnate) është SuperBowl LII. New England Patriots me Bellichikun dhe Tom Bradyn arritën të kthejnë rezultatin ndaj të papërvojëve nga Jacksonville. Përballë do të kenë Philadelphia Eagles, të cilët në mungesë të kuarterbekut startues, Carson Wentz, do të lëshojnë armët në depërtuesin Jay Ayai dhe mbrojtjen, pa hedhur në plan të dytë kuarterbekun rezerv Nick Foles.