NË GJYSMËFINALE
Gjermania triumfon, pas penalltive dramatike
2 July, 2016 @22:45
9 seri të penalltive prej të cilave Gjermania në fund shënoi 5 e Italia 4 për të çuar pancerët në gjysmëfinale të europianit.
Jonas Hector shënoi penalltinë vendimtare, ndërsa Manuel Neuer mbrojti penalltinë e Matteo Darmianit për t’ia dhënë avantazhin dhe fitoren e madhe.
90 minutat e para të ndeshjes përfunduan 1-1. Gjermania dominoi në posedim të topit dhe krijoi më shumë, por pa konkretizim, derisa Mesut Ozil u gjend më së miri në zonë për të shënuar 1-0, pas një krosimi të Jonas Hectorit, që depërtoi me vrap në zonën italiane.
Sidoqoftë, kjo epërsi e pancerëve zgjati pak më shumë se 10 minuta pasi që Jerome Boateng luajti me dorë në zonë, për të shkaktuar penallti. E nga pika e bardhë Leonardo Bonucci ishte i pagabueshëm, 1-1.
Gola nuk kishte as në vazhdime dhe gjithçka në fund vendosën penalltitë.
Fituesi i kësaj ndeshjeje në gjysmëfinale pret fituesin e përballjes së nesërme çerekfinale, Franca - Islanda.