TREPÇA89-GJILANI
Gjilani me gjah të plotë nga Mitrovica
17 September, 2017 @18:01
Gjilani i Arbnor Morinës ka vazhduar me rezultate të mira këtë stinor në Superligë, ndërsa sot viktimë e tyre ishte kampioni aktual që nuk është në formën më të mirë, Trepça’89.
Edhepse përmes Shpëtim Idrizit, 89shi mori epërsinë në ndeshje dhe kishte rrebesh sulmesh drejt portës së mysafirëve në pjesë të parë, kjo ishte e tëra nga vendasit.
Në pjesën e dytë, Gjilani kishte fytyrë tjetër dhe pas vetëm 6 minutash futje në këtë pjesë kapiteni i tyre, Ylber Kastrati shënon nga një top i dëbuar për barazimin 1-1.
Trepçës’89 nuk i shkoi për dore të shënojë gol, edhepse kishte raste përmes Oto Johnit, por edhe Florent Hasanit.
E një gabim të mbrojtjes venadse e shfrytëzoi Armend Thaqi i Gjilanit, që doli përballë Bledar Hajdinit dhe qëlloi anën e djathtë të tij për fitoren e madhe të kuqebardhëve nga Anamorava, 1-2.
Kjo ka qenë fitorja e dytë e Gjilanit këtë stinor, ndërsa kanë edhe tre barazime dhe asnjë humbje pas 5 xhirove të para.
Ndërkaq, kampioni aktual me trajner të ri, Sabit Osmani, sot, pësoi humbjen e tretë të stinorit nga 5 ndeshje të zhvilluara dhe të parën si vendas.