ATALANTA FITON EUROPA LEAGUE
Gjimshiti ngrit trofeun e parë të Atalantës, duke ndalë serinë e Bayerit
23 May, 2024 @11:00
Atalanta e Bergamos ka fituar mbrëmë trofeun e parë në gara të UEFA-së në histori të klubit. Ekipi i drejtuar nga Gian Piero Gasperini ka mposhtur në finale të Ligës së Evropës (Europa League) me rezultat bindës, por edhe me lojë bindëse, Bayer Leverkusenin 3-0 [Ademola Lookman 12’, 26’, 75’].
Kapiteni i kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti ka qenë kapiten i Atalantës në këtë finale të luajtur në Aviva Stadium të Dublinit të Irlandës, ndërsa në ceremoni, ai ka marrë trofeun nga kreu i UEFA-së për ta ngritur atë në shenjë fitoreje me bashkëlojtarët.
Festa ka qenë e madhe në Bergamo, por edhe te të pranishmit në Dublin me triumfin e madh të nerazzurrëve, të cilët kanë ndalë serinë rekorde evropiane të të gjitha ligave të Bayer Leverkusenit të drejtuar nga Xabi Alonso prej 51 ndeshjeve pa humbje në të gjitha garat.
Shkurt për ndeshjen, Ademola Lookman me hat-trickun e tij vulosi dominancën e treguar që nga fillimi i lojës. Italianët u dukën të pandalshëm, derisa herët Lookman shënoi për 1-0 (12’), para se të kalojë Granit Xhakën për të goditur fuqishëm për 2-0 (26’).
Ekipi i “aspirinëve” nuk arriti assesi të këndellet as gjatë pjesës së dytë, ndërsa Lookman vulosi gjithçka kur rrufeshëm goditi për 3-0 (75’).
NOTAT E LOJTARËVE: (via Eurosport)
Atalanta: Musso 7; Djimsiti 7, Hien 7, Kolasinac 7; Zappacosta 9, Ederson 9, Koopmeiners 9, Ruggeri 7; De Ketelaere 8, Scamacca 8, Lookman 10. Rez: Scalvini 9, Pasalic 7, Toure 6, Hateboer 6, Toloi 6.
Leverkusen: Kovar 5; Stanisic 5, Tah 6, Tapsoba 4; Frimpong 4, Xhaka 5, Palacos 5, Hincapie 4; Wirtz 5; Grimaldo 4, Adli 5. Rez:Boniface 6, Andrich 6, Hlozec 6, Tella 6, Shick 6.
L'Atalanta soulève officiellement le trophée de la Ligue Europa 2023-24 #ATAB04 | #UELFinal pic.twitter.com/8EjzI7wS3D
— CANAL+ Foot (@CanalplusFoot) May 22, 2024