1/2: VËLLAZNIMI - DRENICA
Goli mysafir vendos, Vëllaznimi në finale
18 April, 2018 @17:00
Vëllaznimi në finale të Kupës së Kosovës!
Pas barazmit 1-1 në Skenderaj, Vëllaznimi e Drenica kanë luajtur pa gola në Gjakovë, rezultat ky që në finale e dërgon skuadrën gjakovare falë golit të shënuar në terrenin kundërshtar, gol i cili ishte shënuar nga Lorik Rudi.
Në një atmosferë të bukur sportive në Gjakovë, ku përveç fansave të shumtë vendas të pranishme ishin edhe ‘Shqiponjat e Zeza’ nga Skenderaj, pjesa e parë kaloi pa ndonjë rast konkret për shënim, përveç atij të Chibuezes së vendasve në fundin e pjesës së parë. Anash rasteve për shënim, për t’u përmendur nga kjo pjesë e parë ishte lëndimi i Taulant Dajakut nga radhët e mysafirëve, lëndim i cili prishi planet e Drenicës në repartin ofansiv të skuadrës.
E pjesa e dytë kaloi plotësisht me dominim e mysafirëve, të cilët përkundër iniciativës gjatë gjithë kohës, nuk krijuan raste konkrete për shënim, por rrezikon me krosime e me topa të gjatë. Në anën tjetër, vendasit nuk u shpërqëndruan për asnjë moment dhe arritën ta mbyllin takimin pa pranuar gol, për ta arritur kështu finalen e Kupës së Kosovës.
Finalja e Kupës së Kosovës luhet më 27 maj.