EKSKLUZIVE
Shala: Këto klube janë në proces të licensimit
16 April, 2018 @22:11
Pak para përfundimit të stinorit 2017/18 në Superligë të Kosovës, por edhe para se të kuptohen finalistët e Kupës - ajo që i interesonte opinionit futbolldashës është se cili ekip kosovar është në proces të licensimit në FFK për gara ndërkombëtare.
E për këtë, Borozani.com ka bërë një intervistë me njëshin e këtij sektori në futbollin e Kosovës, Bajram Shala.
Shala, ka qenë i gatshëm për përgjigje dhe ka sqaruar në detaje procesin e licensimit, ndërsa ndër të tjera ka bërë të ditur se përveç dy klubeve të Superligës, të tjerat të gjitha janë në proces.
“Në proces të licensimit zakonisht përfshihen klubet e nivelit elit të një Federate. Në Kosovë aktualisht janë në proces të licensimit 10 prej 12 klubeve të Superligës, kurse vetëm Besa dhe Vllaznia janë skuadrat që nuk e kanë nisur këtë proces,” ka bërë të ditur Shala fillimisht.
-Klubet duhen aplikuar çdo stinor për licensim?
“Licensa që jep FFK për garat e UEFA-së është 1-vjeçare, ashtu si në çdo Federatë tjetër ekipet e së cilave garojnë në gara të UEFA-së, që nënkupton se çdo klub duhet t’i nënshtrohet të njejtit proces çdo vit,” ka sqaruar ai.
E kriteret që duhet të plotësohen për licensim dhe kushtet që kërkon UEFA-ja nga klubet kosovare - mund të gjindet në faqen zyrtare të Federatës, derisa ekipet duhet të plotësojnë 5 kryesoret.
“Janë në fakt 5 kritere si pika bazë, e secila prej tyre ka specifikat e veta. Kriteri Ligjor, Kriteri Sportiv, Kriteri për Personel dhe Administratë, Kriteri Financiar dhe Kriteri Infrastrukturor. Detajet mund të gjinden në web faqen e FFK-së, të cilën ne ua kemi dërguar të gjitha klubeve të elitës, me të cilat gjithashtu kemi pasur edhe këtë vit një seminar ku i kemi shpjeguar të gjitha detajet e këtij procesi.”
-Nëse kriteri financiar kishte rrëzuar disa ekipe stinorin e kaluar, a mund të na njoftoni në cilat pika nuk arritën të plotësohen kërkesat nga klubet?
“Edicionin e kaluar kanë aplikuar gjashtë klube dhe katër prej tyre kanë marrë licensën, kurse dy janë refuzuar dhe prej tyre vetëm njëri në fakt nuk ka kaluar kriterin financiar. Ne si administratë e Licensimit së klubeve për garat e UEFA-së, kemi njoftuar klubin në fjalë me të gjitha detajet e arsyetimit për të cilin klubi është refuzuar, por detajet nuk mund të publikohen për shkak të ndjeshmërisë të të dhënave të klubit, që i kemi obligim t’i respektojmë,” ka bërë të ditur Shala.
-Në ndërkohë, duhet ditur edhe afatin. Cila është data kur të gjitha klubet e Kosovës që kanë aplikuar për licensim do të marrin përgjigjen nëse janë licensuar ose jo?
“Vendimi i Komisionit të Shkallës së Parë do të merret më 11 maj 2018, e më pas klubet e pakënaqura (ato që refuzohen) do të kenë mundësi ankese në Komisionin e Shkallës së Dytë, që duhet të marrë vendim definitiv deri më 27 maj.”
-Pasi tashmë pritet të kuptohen finalistët e Kupës, gjithashtu duhet ditur se a ka ndonjë ekip që nuk ka aplikuar apo nuk është në proces të licensimit?
“Tri prej këtyre klubeve që janë pjesë e Superligës janë aktive në procesin e licensimit, ndërsa tash edhe Vushtrria ka aplikuar,” ka njoftuar Shala, për të kuptuar se kësaj radhe (natyrisht në rast të licensimit) do të shkojë në Europa Ligë fituesi i Kupës së Kosovës.
-Rregulli i stinorit të kaluar a vlen edhe këtë stinor? Pra, nëse fituesi i Kupës nuk licensohet, atëherë në gara ndërkombëtare shkon nënkampioni i Kosovës.
“PO! Në rast se fituesi i Kupës nuk ka licensën, atëherë zëvendësohet nga klubi i dytë në tabelën e Superligës. Në rast se kampioni ka licensë dhe prezentohet në Champions League, në të kundërtën zëvendësohet nga cilido klub që ka licensën dhe ka arritur plasmanin më të lartë në tabelën e klasifikimit të Superligës, pas skuadrës që na prezanton në Champions,” ka sqaruar përfundimisht përgjegjësi kryesor i këtij departamenti të FFK-së.
Fakti interesant ka qenë se kjo gjë, është aplikuar që në stinorin e parë kur ekipet kosovare garuan në garat e UEFA-së.
Fituese e Kupës stinorin e kaluar ka qenë Besa, ndërsa kampione Trepça’89.
Trepça’89 si kampione, ishte licensuar dhe kishte fituar të drejtën për pjesëmarrje në kualifikime të Champions League, sipas rregullave. Besa, në anën tjetër, nuk ishte licensuar dhe kështu, në Europa Ligë të drejtë pjesëmarrjeje fitoi nënkampioni i Kosovës, Prishtina.
Aktualisht, ekipet që po vazhdojnë me tempo të mirë për titullin kampion dhe po kërkojnë pjesëmarrje në Ligë të Kampionëve janë liderja Drita dhe ndjekësja e parë e saj, Prishtina. Natyrisht, deri në fund të stinorit mund të ndodh gjithçka.
Ndërkaq, të mërkurën do të kuptohen edhe finalistët e Kupës së Kosovës. Aktualisht, Drenica, Prishtina, Vëllaznimi dhe Vushtrria janë në gjysmëfinale. Prishtina fitoi ndeshjen e parë ndaj Vushtrrisë 1-0, ndërsa Drenica e Vëllaznimi barazuan 1-1. Ndeshjet e kthimit zhvillohen të mërkurën, ku Vushtrria pret Prishtinën, ndërsa Vëllaznimi Drenicën.