NGA BBC
Gramoz Kurtaj synon ftesën nga Kosova
7 September, 2016 @14:59
Mesfushori i ekipit skocez, Hamilton, Gramoz Kurtaj, është njeriu i radhës që synon përfaqësuesen e Kosovës.
Sipas një raporti të BBC-së, Kurtaj i lindur në Prishtinë, tash 25 vjeç, ka bërë të ditur se ka aplikuar në FIFA dhe tani më dëshiron të dëshmojë veten në lojë, për të marrë ftesë nga selektori i Kosovës.
“Jam në listën e lojtarëve që pres ftesën nga Kosova. Më mbetet vetëm të tregohem te ekipi im,” është cituar të ketë thënë Kurtaj për BBC sot.
Kurtaj ka shtetësi gjermane, ku ka nisur karrierën si futbollist. Ai ka luajtur për ekipin e dytë të Hertha Berlinit, para se të kalojë në duart e Carl Zeiss Jenas dhe Banik Mostit çek.
“Do të bëj gjithçka për të marrë ftesën. Kam qenë jashtëzakonisht krenar ditën kur Kosova luajti ndaj Finlandës. Njerëzit janë të impresionuar nga paraqitja e parë e Kosovës,” ka thënë ndër të tjera 25 vjeçari.