FITORE E THELLË DHE BINDËSE
Hajvalia ngritet
25 November, 2015 @14:49
Skuadra e Ismet Munishit, Hajvalia, ka vazhduar me formë të mirë sot në stadiumin e saj në Kishnicë, duke mposhtur thellë dhe lehtë Trepçën’89 që s’është në formë.
Hajvalia me fitoren e sotme ka kërcyer në pozitën e tretë të tabelës, derisa nxënësit e Munishit nuk kanë pësuar humbje që nga xhiroja e nëntë e Superligës.
TOP GOLASHËNUESIT E SUPERLIGËS
Në anën tjetër, Trepça’89 ka shënuar disfatën e katërt me radhë në Superligë, duke rënë në pozitën e gjashtë të tabelës me 5 humbje në total, prej të cilave 4, në 4 xhirot e fundit.
Goli i parë në ndeshje erdhi në minutën e 24-të, kur Shkëlqim Pacolli ka shënuar për 1-0. Nuk vonoi shumë, Liridon Leci nga gjuajtja e lirë qëllon për 2-0, derisa Munishi fut edhe Berat Hysenin në lojë në vend të Kreshnik Nebihut para fundit të pjesës së parë.
Pjesa e dytë vazhdoi me dominim të vendasve, të cilët gjetën edhe golin e tretë përmes Lecit, që goditi me kokë, pas krosimit të Veton Shabanit nga korneri, 3-0.
Trepça’89 nga minuta e 50-të e ndeshjes luajti me një lojtar më pak, pasi që Edmond Turku morri kartonin e dytë të verdhë në ndeshje, duke e lënë ekipin të vuaj.
Kjo ndeshje ishte paraparë të luhet të dielën, por për shkak të gjendjes së vështirësuar në terren (të mbushur me ujë për shkak të shiut) ishte shtyer për sot.
Në xhiron e fundit për stinorin vjeshtor, Hajvalia i shkon në konak kampionit aktual, Ferronikelit, derisa Trepça’89 në krizë të rezultateve, i shkon Prishtinës, që po kalon ditë të vështira këtë stinor.