S'PRITEN PËRFORCIME

Hajvalia, s’mendon për transfere
14 December, 2015 @13:34
Në një prononcim për faqen zyrtare të Hajvalisë, trajneri i kësaj skuadre Ismet Munishi, ka bërë të ditur se ekipi i tij nuk ka nevojë për përforcime të shumta gjatë afatit kalimtar dimëror, pasi që ka ekip të mirë dhe dëshiron të ngrit konkurrencën në skuadër.
Hajvalia përndryshe është duke zhvilluar stërvitje të lehta, sa për të mbajtur formën e lojtarëve.
“Jemi duke vazhduar me stërvitje, që do t’i quaja argëtuese, pasi që lojtarët kanë nevojë të çlodhen. Jemi duke përgatitur edhe planprogramin për pushimin dimëror që secili futbollist do ta ketë për vete,” ka thënë Munishi për fchajvalia.com sot.
“Nuk do të ketë 4-5 transferime,” ka thënë ai kur u pyet për përforcime gjatë dimrit.
“Ndoshta mund të vijnë një ose dy lojtarë. Qëllimi është të ngris konkurrencn brenda ekipit pasi që kemi lojtarë shumë të mirë për momentin,” ka shtuar Munishi.
Hajvalia nisi stinorin me trajner Mentor Miftarin, mirëpo shpejt reagoi duke e rikthyer Ismet Munishin në krye të ekipit, që mundësoi ngritjen e skuadrës deri në vendin e katërt, me vetëm 3 pikë më pak se lideri Ferronikeli.
KLIKO PËR TË PARË TABELËN E STINORIT VJESHTOR