DITARI NR 6 @ EURO2016
Himni i Gani Abazit
Shkruan: Luan MORINA
16 June, 2016 @8:25
GANIU
Francezët patën 60% të kohës topin në këmbët e tyre. Fituan gati trefish më shumë duele ajrore dhe në po të njëjtën ishin edhe në gjuajtje totale. Fituan me dy gola epërsi. Po të shohim vetëm këto statistika në letër ne mund të konkludojmë që Franca ishte dominuese, shumë më e mirë se Shqipëria. Por, a ishte kështu? A mund të bazohemi vetëm në numra dhe statistika kur definojmë më të mirin në terren? Numrat e vetëm që vlejnë në fund janë ata të golave. Këta shërbejnë për tituj.
Por, nuk është gjithçka tek numrat! Futbolli është më shumë se numra dhe gola. Futbolli është diçka që luhet, ndjehet, e përkrahet me zemër. Kështu luajtën katërmbëdhjetë lojtarët në fushë, e ndjen të tjerët në bankën rezervë, e këta të dy u përkrahën nga mijëra tifozë në ‘Velodrome’ dhe miliona para ekraneve. Për të gjithëve kjo ndeshje do të mbetet njëra nga paraqitjet më të mira të kombëtares, diçka që nuk pasqyrohet me asnjë statistikë e shifër. Diçka që do të përmendet gjeneratë pas gjenerate.
Në aspektin sportiv loja jonë ishte gatuar për barazim, stil italian. Ajeti dhe Mavraj ishin të shkëlqyeshëm në qendër të mbrojtjes, sidomos Arlindi. Për Elseidin e dimë se çfarë ofron. Është ndoshta lojtari më i talentuar shqiptar ndonjëherë. Memushaj ishte tepër i mirë në pozitën e tij dhe lënia në bankë e Xhakës, ku do të duhej të përfundonte këtë ndeshje ndoshta, ishte veprim tepër i mençur. Krahët e sulmit nuk ishin aq aktiv në ofensivë. Ngjashëm edhe Sadiku. Por, megjithatë, të tre këta kontribuan në tranzicionin e lojës. Në përgjithësi, t’i kundërvihesh Francës ashtu, njërës nga favoritet kryesore të këtij kampionati nuk është lehtë. U shkaktuam më shumë probleme se Rumania. Një krahasim i tillë nuk është i drejtë, por do ta vërejmë javën e ardhshme.
Ndërkohë, himni i Gani Abazit ishte një ndër pjesët më emocionale të këtij kampionati. Nëse hedhim një shikim mbrapa mbi krejt çfarë ka bërë për këtë kombëtare, sjellja e lojtarëve, ndërtimi i një vetëbesimi dhe gjenerate të talentuar, meriton të shpërblehet me dyfish çfarë i ofron çdo ekip a kombëtare pas këtij evropiani. Pa marrë parasysh rezultatin, Ganiu duhet të qëndroj pasi trajner më të mirë s’do të mund të gjejmë as brenda e as jashtë kufijve shqiptar.
RUSIA 2018
Slutsky me gjasë do të largohet nga kombëtarja për të mbetur në krye të CSKA-së pas këtij kampionati. Por, trajneri më i ri i Euros po tregohet më guximtari. Po ndërton diçka të mirë për Botërorin, dhe vazhdimi me të do të ishte vendimi më i mençur për federatën ruse. Kundër Sllovakisë nuk ishin të këqij, jo në repartet ku po ndodh ky ndërtim.
Pleqtë e mbrojtjes nuk mund të ndjekin Weissin e Hamsikun. Sllovakët nuk janë asgjë e veçantë, dhe ndoshta kanë bërë maksimumin në kampionat. Por, ata kanë Hodgsonin, kështu që shpresat e sllovakëve nuk janë të shuara.
STANCU
Zvicra nuk është asgjë e veçantë. Xhemajli nuk ka pasur sezon të mirë në Galatasaray. Në fakt është huazuar falas plus i është paguar rroga nga turqit në Genoa. Behrami ka kaluar vitet më të mira. Nuk mund të themi të njëjtën për katër shqiptarët tjerë në këtë kombëtare. Mëkat që nuk kemi pasur ndeshjen e dytë apo të tretën me ta.
Hiq më e talentuar nuk është as Rumania. Ndoshta mund të nxjerrim fitore ndaj tyre. Por, vetëm një lojë e mirë, si kjo ndaj Francës, lojë guximtare, dhe ndoshta pak më e hapur, me një sulm më ndryshe, që të provojmë gjithçka do të ishte edhe më atraktive. Sidoqoftë, edhe me humbjen më të thellë ky kampionat është sukses për kombëtaren tonë, për futbollin shqiptar. Hapi i parë në një të ardhme të ndritshme, shpresojmë.
SOT
Pres me qejf të shoh si do të reagojnë talentet ukrainase kundër Irlandës Veriore. Kundër gjermanëve kanë treguar potencial, duhet ta shfrytëzojnë këtë kundër kësaj kombëtareje më inferiore.
Gjermania dhe Polonia është ndoshta dueli që pres më së shumti. Mund të jetë një çerekfinale si kjo. Të dyja nuk kanë nerva të mbrohen. Lëvizje, pasime, gjuajtje, gola. Duhet të kenë të gjitha.
Ndërkohë mos mbeteni gojëhapur nëse Uellsi mposht Anglinë. Në fakt do të ishte befasi fitorja e Anglisë me timonierin që e kanë.