SPANJA - MAQEDONIA

Ibraimi shënon, Spanja me lehtësi fiton
8 September, 2014 @22:23
Kampionja aktuale e Europës, Spanja, ka shënuar fitore bindëse ndaj fqinjëve tanë, Maqedonisë.
Ekipi i reformuar i spanjollëve pas dështimit në Botërorin e sivjetëm, ka gjetur veten me ndeshjen ndaj Maqedonisë, të cilën e mposhti me rezultat 5-1.
Sergio Ramos (15’) e nisi serinë e golave me një shënim nga penalltia në stilin ‘panenka’, derisa dy minuta më vonë Paco Alcacer e dyfishoi epërsinë.
Mesfushori ofansiv shqiptar i Maqedonisë, Agim Ibraimi, shënoi në minutën 28’ nga pika e bardhë për ta ngushtuar përkohësisht disavantazhin e ekipit të tij, pasi në vazhdim golat nga Busquets, David Silva dhe Pedro, ishin të pashmangshëm për një humbje turpëruese të Maqedonisë.
Në njëmbëdhjetëshen e fqinjëve tanë përveç Ibraimit e filluan edhe shqiptarët Ardian Cuculi dhe Beshart Abdurahimi, derisa Muhamed Demiri u inkuadrua më pas në lojë.
Maqedonia ndeshjen e ardhshme e luan kundër Luksemburgut, kurse Spanja do të përballet me Sllovakinë.