ZYRTARE
Inter shkarkon De Boerin
1 November, 2016 @12:55
Tashmë u zyrtarizua edhe nga vetë klubi. Frank De Boer pas 14 ndeshjeve si trajner i Interit, është larguar nga posti i tij për shkak të rezultateve të dobëta me ekipin.
“Inter njofton se ish-trajneri i Ajaxit, është liruar nga detyra e tij. Ekipi ka dëshirë të falenderoj Frank De Boerin për punën e tij të deritashme me klubin dhe i dëshiron suksese në të ardhmen. Vendin e tij përkohësisht do ta zë Stefano Vecchi,” ka shkruar ndër të tjera njoftimi i skuadrës Neroazzurre.
De Boer me Interin në 11 xhiro të Serie A-së regjistroi 4 fitore, 2 barazime dhe 5 humbje.
Në Europa Ligë, Inter është në vendin e fundit në Grupin K, ku bëjnë pjesë edhe Sparta çeke, Southamptoni anglez dhe Hapoel Beer Sheva izraelite.
De Boer 46 vjeç erdhi në Inter pas përvojës së bërë me Ajaxin në 6 vitet e fundit ku fitoi 4 herë titullin e Holandës. Ai kishte zëvendësuar gjatë kësaj vere Roberto Mancinin e larguar në Giuseppe Meazza.
Me të madhe mediat italiane shkruajnë se vendin e holandezit do ta zë Stefano Pioli, ish-trajner i Lazios.