STATISTIKAT KRYESORE
Statistikat kryesore të Superligës pas ciklit të parë
Statistikat: Borozani.com
31 October, 2016 @13:05
Pas 11 xhirove të para të Superligës, me ç‘rast shënohet fundi i ciklit të parë të ndeshjeve në elitën e futbollit kosovar janë shënuar këto statistika të përgjithshme sa i përket ekipeve. Të përmbledhura në këtë artikull janë ato kryesoret nga 11 xhirot e para nga stafi i www.Borozani.com, si mëposhtë:
TREPÇA’89 - Lideri aktual i kampionatit është duke udhëhequr si me pikë (30), ashtu edhe me golaverazh (+12) por edhe me numrin e golave të shënuara në portat kundërshtare (21). Golashënues më i mirë i ekipit mitrovicas është nigeriani Oto John John, me 8 gola.
PRISHTINA - Ekipi me mbrojtje më të fortë deri më tani. Futbollistët bardhekaltër nga 11 xhiro kanë pranuar vetëm 6 gola në portë.
TREPÇA - Erdhi këtë stinor në Superligë nga Liga e Parë, por ekipi po vuan për një fitore. Ekipi me traditë nga Mitrovica mbetet skuadra e vetme pa fitore ende këtë stinor në Superligë.
HAJVALIA - Skuadra e Sunaj Keçit përveç që është në fund të tabelës pas 11 xhirove, është edhe ekipi me më së shumti gola të pranuara deri më tani këtë stinor (19).
TREPÇA’89, FERONIKELI dhe LIRIA - Këto skuadra kanë një të përbashkët pas ciklit të parë të ndeshjeve të Superligës. Ose fitojnë ose humbin ndeshjen, barazime s’kanë pas 11 xhirove.
BESA dhe TREPÇA - Dy skuadrat me më së shumti barazime në Superligë pas 11 xhirove, gati gjysmën e tyre e kanë përfunduar baraz (5).
TREPÇA’89 - Ekipi me serinë më të mirë ndër vite në Superligë. Futbollistët që aktualisht po drejtohen nga Veton Çitaku kanë rreshtuar 10 fitore pas humbjes në xhiron e parë nga Drita.
DRITA dhe FERIZAJ - Ia nisën me fitore dhe e harruan atë. Dy skuadrat kanë shënuar fitore që në xhiron e parë të stinorit dhe prej atëherë më nuk e kanë shijuar tre pikëshin direkt pas 90 minutave.
DRITA - Ekipi e ka të qartë arsyen pse s’po arrin te fitorja. Pas 11 xhirove vetëm 3 gola të shënuar nga skuadra gjilanase.
TREPÇA’89, PRISHTINA, LLAPI dhe GJILANI - janë skuadrat që kanë kaluar 5 ndeshje pa pranuar gol në portën e tyre. Kryesojnë listën e portave të paprekura.
HAJVALIA, TREPÇA, DRITA dhe DRENICA - janë skuadrat që vetëm në dy duele nga 11 kanë mbajtur portën e tyre të pastër nga golat.
TREPÇA’89 dhe DRENICA - janë skuadrat që në radhët e tyre kanë golashënuesit më të mirë të stinorit deri më tani. ‘89-shi ka Oto John Johnin, ndërsa Drenica Granit Arifajn, të dy me nga 8 gola të shënuara deri më tani.