NEROAZZURRI
Interi më i mirë i 13 viteve të fundit!
21 September, 2015 @11:11
Me fitoren e djeshme ndaj Chievos si mysafir, me golin e shënuar nga sulmuesi Mauro Icardi, besoni apo jo, Inter ka bërë startin më të mirë të stinorit në Serie A, që nga stinori 2002/03.
Interi i Roberto Mancinit tashmë ka shënuar 4 fitore në 4 ndeshjet e para të Serie A-së për këtë stinor dhe me rekord të qindpërqindtë po vazhdon kryesimin në Serie A, me 12 pikë të tubuara.
Inter ia nisi stinorit me fitore ndaj Atalantas (1-0), pastaj Carpit (1-2), Milanit (1-0) dhe së fundi Chievos (0-1).
Interi i atëhershëm i drejtuar nga Hector Cuper, që në sulm kishte dyshen argjentinase Hernan Crespo e Gabriel Batistuta, në mes lojtarë si Emre Belozoglu, Sergio Conceiçao, Cristiano Zanneti, Luigi Di Biagio... në portë Francesco Toldon e famshëm, kishte nisur stinorin me katër fitore radhazi.
Ai Inter kishte fituar në fillim të stinorit Torinon (1-0), pastaj Reggio Calabrian (1-2), Chievon (2-1) dhe Piacenzan (1-4) derisa u ndalë në derbi ndaj Juventusit (1-1, 19 tetor 2012), në xhiron e pestë. Në fund të stinorit 2002/03, Interi kishte përfunduar nënkampion i Italisë me 7 pikë më pak se Juventusi kampion.
A është duke shkuar Roberto Mancini me Neroazzurrët drejt një stinori të paharrueshëm për adhuruesit e ekipit, mbetet të shihet në vazhdim të stinorit.
Inter në dy xhirot e ardhshme pret Veronën e Fiorentinën, derisa tre xhiro më pas udhëton në Xhenovë për tu ndeshur me Sampdorian.