ALBERTINI

REUTERS
Italia frikëson Spanjën!
26 June, 2013 @14:53
Spanja e cila për herë të fundit mposhti Italinë në finale të Kampionatit Europian, Euro 2012, të mbajtur në Poloni e Ukrainë 4-0, do të frikësohet nesër nga azzurrët.
Kështu ka parashikuar zëvendës kryetari i Federatës italiane të futbollit, Demetrio Albertini.
Ish lojtari i përfaqësueses italiane duke parashikuar ndeshjen e nesërme për agjencinë e lajmeve DPA, ka thënë se Spanja është ekip shumë i mirë dhe do të jetë mjaft vështirë për Italinë, mirëpo ata (italianët) do të tentojnë t’i frikësojnë spanjollët.
“Sidoqoftë, Italia do të provojë t’i frikësojë spanjollët duke mos u ndalur në mbrojtje. Statistikat thonë se Italia luan shumë mirë me top dhe këtë duhet ta bëj deri në fund,” ka thënë ndër të tjera ish mesfushori i Milanit dhe Barcelonës, Albertini.
Trajneri italian, Cesare Prandelli, do të duhet të provojë risi për ndeshjen e nesërme pasi që lëndimi i sulmuesit, Mario Balotelli dhe mbrojtësit, Ignazio Abate do ta detyrojnë atë të taktizojë ndryshe ndaj Spanjës.
Italia dhe Spanja takohen nesër në gjysmëfinale të Kupës së Konfederatave që po mbahet në Brazil. Spanja ka përfunduar e para në Grupin B, ndërsa Italia e dyta në Grupin A.
Spanja është kampione aktuale botërore dhe europiane. Furia e kuqe nuk është mposhtur në 24 ndeshjet e fundit në të gjitha garat.