MIQËSORE
Italia rrëzon Holandën
4 September, 2014 @23:40
Përzgjedhësi i ri i Italisë, Antonio Conte, e ka filluar mbarë aventurën e tij në krye të përfaqësueses nga gadishulli apenin.
Në paraqitjen e parë me trajnerin Conte, Italia shënoi fitore me rezultat 2-0 ndaj Holandës, e cila e kishte fituar vendin e tretë në Botërorin Brazil 2014.
Golat për italianë erdhën në dhjetë minutat e para, nga Ciro Immobile (3’) dhe Daniele De Rossi (10’). Ky i fundit realizoi nga pika e bardhë, derisa nga ky moment tulipanët u detyruan të luajnë me një lojtar më pak në fushë për shkak të kartonit të kuq të Bruno Martins Indi.
Italia do të luajë të martën më 9 shtator kundër Norvegjisë, kurse Holanda kundër Republikës Çeke, në kuadër të ndeshjeve kualifikuese për Kampionatin Europian.