ARSENE WENGER

Nga dueli i vjetshëm në Camp Nou, Barcelona-Milan/ Goditja e Lionel Messit që përfundoi me gol/ REUTERS
Juventus dhe Barça janë favoritë
5 November, 2013 @9:14
Në emisionin e përjavshëm të analizës së ndeshjeve të Ligës së Kampionëve, Arsene Wenger, duke folur për kanalin televiziv Eurosport mbrëmë ka komentuar luftërat italo-spanjolle të kësaj xhiroje në ligën më të fortë europiane të futbollit.
“Juventusi ka treguar në xhiron e kaluar se mund t’i bëj ballë Real Madridit përkundër se humbën 2-1. Ndeshja e sotme do të jetë edhe më e vështirë për spanjollët. Juventus të shumtën e kohës ka luajtur me 10 veta në fushë dhe kjo nuk ka bërë dallimin në ndeshje, pasi që ata rrezikonin ende. Kjo më ka impresionuar mjaft, si dhe Paul Pogba. Për ndeshjen e sotme i jap avantazh të vogël Juventusit, pasi që luajnë në shtëpi. Nëse fitojnë numër më të madh të dueleve dhe me presing ndaj Realit, Juventusi ka gjasa për fitore,” ka qenë komenti i Wengerit për ndeshjen e Grupi B të Ligës së Kampionëve.
Për më tepër Juventusit i duhet fitorja patjetër sonte pasi që pas tre xhirove të para ata kanë regjistruar një humbje dhe dy barazime dhe gjinden në vendin e tretë të grupit, pas Real Madridit dhe Galatasarayit.
Sa i përket ndeshjes së nesërme ndërmjet Barcelonës dhe Milanit, që është lufta e dytë italo-spanjolle e javës në Ligë të Kampionëve, Wenger mendon se ‘rossonerët’ kësaj radhe nuk do të kenë shpëtim.
“Milan di si të ndalë Barcelonën, pasi që ata çdo vit po takohen në Ligë të Kampionëve. Gjithmonë janë arrë e fortë për Barcelonën. Mirëpo, nëse i shikon gjërat në hollësi, mendoj se ndeshja e dytë do të jetë edhe më e keqe për Milanin. Shoh një betejë 10 me 10 në pjesën e fushë së ‘rossonerëve’, ndërsa parashikoj tre kundërsulme për Milanin në një pjesë. Milan mund të shënojë nga këto kundërsulme, por përgjithësisht, Barcelona është favorite,” ka qenë komenti dhe parashikimi i ndeshjes së kryetrajnerit më të vjetër aktualisht në Premier League, Wenger, që është në krye të tabelës në Angli me Arsenalin.
Barcelona dhe Milan luajtën baraz 1-1 në ndeshjen e xhiros së kaluar të Grupit H të Ligës së Kampionëve në San Siro. Ndeshja e kthimit luhet nesër mbrëma në Camp Nou të Barcelonës. Asnjëra nga këto ekipe nuk ka pësuar në Grupin H, derisa dallimi i vetëm që katalonasit udhëheqin grupin është një fitore më shumë se Milani.