1/8: AJAX - REAL MADRID
Kampioni s’lejon befasi në Amsterdam
13 February, 2019 @22:59
Në duelin e parë të 1/8 së finales mes dy gjigandëve të futbollit evropian, Ajaxit e Real Madridit, fituese doli skuadra kampione në fuqi e Evropës, e cila takimin e sontëm e mbylli me fitore 1-2.
Ajaxi në përgjithësi zhvilloi një ndeshje mjaft të mirë, veçanërisht në pjesën e parë, në të cilën holandezëve iu anulua një gol tejet i dyshimtë nga sistemi VAR, ndërsa përvoja madrilene në pjesën e dytë bëri që fitorja t’iu takonte mysafirëve, të cilët ndeshjen e kthimit në Spanjë e nisin me epërsi të konsiderueshme. Sa i përket golit të anuluar, ky ishte goli i parë i anuluar nga sistemi VAR në histori të Ligës së Kampionëve, pasi që ky sistem për herë të parë në këtë garë filloi të përdorej mbrëmë, ku në dy ndeshjet e luajtura nuk ishte akter në anulimin e ndonjë goli.
Sa për kuriozitet, njëri nga dy golat e Realit sonte u asistua nga i riu Vinicius Junior, i cili me këtë asistim arriti të bëhet asistuesi më i ri në moshë në histori të Champions Leagues. Vinicius këtë gjë e arriti me 18 vjet, 7 muaj e 1 ditë.