FENERBAHÇE - ZENIT ST PETERSBURG
Portieri mban Fenerbahçen në lojë
12 February, 2019 @21:35
Portieri i Fenerbahçes Harun Tekin, ka mbajtur në lojë ekipin e tij, pasi që ka mbrojtur penalltinë e sllovakut Robert Mak para fundit të pjesës së parë për të përfunduar ndeshja me fitoren e kanarinave të Stambollit, 1-0.
Fenerbahçe kishte ardhur në epërsi më parë, me një gol të shënuar nga tollovia, pas gjindshmërisë në zonë të algjerianit të huazuar nga Leicester City, Islam Slimani.
Rastet e shumta të pjesës së parë, nuk u përsëritën fort në pjesë të dytë të ndeshjes që kaloi më qetë. E kjo mund të ndërlidhet me formën e dobët që Fenerbahçe e drejtuar nga Ersun Yanal po kalon në Superligën turke dhe me pushimin e gjatë dimëror që e ka Superliga ruse.
“Na mësuan se si duhet të luajmë,” ka thënë mes tjerash trajneri i Zenitit, Sergei Semak pas humbjes së ekipit të tij sonte.
Se cili ekip në duelin e madh turko-rus do të sigurojë të tetën e finales së Europa Ligës, do të kuptohet në përballjen e kthimit që luhen në Shën Petersburg më 21 shkurt.