MEDIA
Biletat për ndeshjet e Kosovës, do të shtrenjtohen
12 February, 2019 @0:38
Kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) Agim Ademi, ka konfirmuar në një intervistë për KTV-në se biletat për ndeshjet e reprezentacionit të Kosovës do të shtrenjtohen.
Duelet ku përgjatë vitit Kosova do t’i luajë si nikoqire ndaj kundërshtarëve të grupit si: Anglisë, Çekisë, Malit të Zi dhe Bullgarisë do të kushtojnë më shtrenjtë sesa ato të Ligës së Kombeve.
Adhuruesit e reprezentacionit të Kosovës do të paguajnë rreth 50% më tepër për një biletë, ka thënë ndër të tjera kreu i FFK-së, në kuadër të kualifikimeve për EURO 2020, që nis me ndeshjen Kosova-Bullgaria më 25 mars.
Biletat e ndeshjeve të Kosovës në “Fadil Vokrri” përgjatë kampanjës së Ligës D të Kombeve kanë kushtuar prej 3, 5 dhe dhjetë euro për copë, përveç atyre VIP që kanë pasur çmim më të shtrenjtë.
Me rritjen e re të paralajmëruar nga FFK-ja, biletat më të lira pritet të kapin shifrën e 4.5 ose 5 eurove për një ndeshje të Kosovës përgjatë kampanjës kualifikuese për EURO 2020.
ORARI I NDESHJEVE dhe TABELA DREJT EURO 2020
Gjithashtu, Ademi ka bërë të ditur se shitja e biletave për ndeshjet e Kosovës do të vazhdojë të bëhet online.
Metoda online e shitjes për biletat e Kosovës u shfaq pas interesimit të jashtëzakonshëm të publikut për të parë ndeshjet në Prishtinë. Pikat e shitjes së operatorëve të telefonisë mobile dështuan të mbajnë rendin dhe në disa raste është dashur të intervenojë policia për të kthyer gjërat në vend.
Mirëpo, edhe portali online i shitjes nuk i vë të gjitha karriget në dispozicion të adhuruesve të Kosovës. Aty numri i biletave në herën e fundit ka qenë i kufizuar në disa mijë, e jo për të gjitha ulëset, që kapin shifrën e 12 mijë e 800 sosh.
Kosova për herë të parë do të merr pjesë në kualifikime për Kampionat Evropian. Para ndeshjes së parë kualifikuese, Kosova do të luajë me Danimarkën në Prishtinë, një miqësore [21 mars]. Ndërsa katër ditë më vonë pret Bullgarinë në “Fadil Vokrri”. Kampanja e Kosovës do të vazhdojë me dy mysafirllëqe në qershor, kur udhëtohet në Mal të Zi dhe në Bullgari për ndeshjet e 7 dhe 10 qershorit.