DERBI I LONDRËS
Kane, i jep zemër Tottenhamit
1 January, 2015 @20:30
Tottenham Hotspur ka zhvilluar ndeshjen më të mirë të stinorit sonte, në ditën e parë të vitit 2015, për të mposhtur liderin e klasifikimit të Anglisë, Chelsea.
Sulmuesi i ri i Spursave, Harry Kane (21), ka qenë njeriu i ndeshjes, që këndelli tërë skuadrën e Mauricio Pochettinos me golat e tij.
Diego Costa (goli i 13-të i stinorit) i kishte dhënë epërsinë Chelseat, derisa djelmoshat e Jose Mourinhos kishin marrë lojën në duart e tyre.
Por, me vetëmohim, Kane shpërthen mbrojtjen e liderit për të barazuar.
Këtu ndeshja merr kahje tjetër dhe Tottenham lëshohet në aventurën e papritur për të shënuar edhe tre herë në portën e Thibaut Courtois, për 4-1, për të përfunduar krejt në fund 5-3.
Sa i përket tabelës, Chelsea dhe Manchester City janë barazuar tërëisht - dhe janë liderë të përbashkët.
Në anën tjetër, kjo ka qenë disfata e dytë e stinorit për Chelsean, pas asaj ndaj Newcastle United (6 dhjetor, 2-1).
E që gëzimi të jetë më i madh i Tottenhamit, ata kanë arritur mbi rivalin e përbetuar, Arsenal, duke dalë në vend të pestë dhe për t’i rrëzuara ata në pozitën e gjashtë.