NË PRIZREN
KF Liria reagon ndaj deklaratave të Berishës
7 March, 2017 @23:08
Skuadra e Lirisë së Prizrenit ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të qendërmbrojtësit të saj, Visar Berisha, dhënë për Botën Sot.
Bardhezinjtë nga Prizreni në një komunikatë të dërguar në adresën tonë kanë shkruar se futbollisti në fjalë ka shpifur dhe i ka lënë shokët e skuadrës në baltë.
Kjo është komunikata e plotë e klubit:
“Të indinjuar me shpifjet dhe fyerjet që i ka bërë në adresë të KF Liria, Visar Berisha, për opinion sqarojmë: Visar Berisha nuk është larguar nga askush, ai ka ikur vetë duke lënë në baltë të gjithë shokët e klubit, edhepse ka qenë më i privilegjuari në pagesa.
Ai është i vetmi të cilit klubi nuk i ka asnjë cent borxh. Madje, më i privilegjuari, pasi vitet e shkuara ka marrë pagën e dhjetorit si i vetmi futbollist.
Kemi pasur marrëveshje që në fillim të stinorit të fshihet kësti i dytë, për gjashtë mujorin vijues (pranveror), që është në vazhdim. Por askund s’ka qenë e saktësuar që kjo të bëhet në fillim të vitit, por gjatë stinorit.
Megjithatë, ne kemi pasur vështirësi në lëshim të mjeteve që vinë nga pozicionet e Komunës dhe e kemi lutur atë të pres edhe pak.
Premtimi ka qenë që asnjë cent s’do t’i mbetemi borxh. Madje, kryetari i ka thënë se privatisht do t’i përgjigjet rreth mjeteve, nëse është nevoja.
Por, ai në mënyrë demonstrative është larguar pa paralajmërim duke lënë në baltë shokët e klubit dhe tashmë merret me akuza e fyerje, për çka do të përgjigjet.
Visari ka luajtur ndaj Bashkimit (Kupa e Kosovës) si dhe ka stërvitur me ekipin para ndeshjes me Hajvalinë. Mirëpo, përkundër premtimit të kryetarit se pagesat do të kryhen në rastin e parë, ai nuk ka udhëtuar në ndeshje me Hajvalinë, duke bërë gjest të ulët dhe duke shpërdorur besimin e shokëve e të Bordit. Faktikisht, ai ka sabotuar klubi. Për të tilla veprime, pason ndëshkimi.
Ne, e kemi lënë pa e ndëshkuar, suspenduar, por ai me këtë paraqitje në opinion do të ketë pasoja si futbollist, ndërsa për shpifje do të ndiqet penalisht.
Ai është futbollist i licencuar deri më 30 qershor te Liria dhe nuk mund të shkojë askund. Ne si klub jemi në gjendje të ballafaqohemi mbi bazën e argumenteve kudo dhe në çdo kohë.
KF Liria e ka kthyer në jetë pas lëndimit 3 vjeçar të tij dhe për këtë ai duhet të jetë mirënjohës, e jo të merret me shpifje të ulëta dhe tentim-krijimin e grupacioneve së fundi, që do të mbetet dëshirë për te, por edhe dëm për te, që do të jetë i pariparueshëm,” - përfundon komunikata e KF Liria.