1/2: PRISHTINA - VUSHTRRIA
Khalid afron Prishtinën me finalen
4 April, 2018 @15:59
Në takimin e parë gjysmëfinal të zhvilluar në Pejë, Prishtina ka arritur të shënojë fitore minimale 1-0 ndaj Vushtrrisë, për t’iu afruar kështu finales së Kupës së Kosovës.
Për epërsinë e vendasve u përkujdes Basit Khalid, i cili shënoi me kokë pas krosimit të Drashko Bozhoviç nga goditja e këndit. Ky gol doli të ishte vendimtar në këtë duel, pasi që as njëra e as skuadra tjetër nuk arritën ta gjenin ndonjë gol tjetër deri në fund të duelit.
Fitorja e Prishtinës mund të ishte edhe më e thellë, sikur Arbër Hoxha të ishte më i saktë para portës kundërshtare në disa tentime, mirëpo lojtari në fjalë shpërdoroi disa raste dhe rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund.
Ndeshja kthyese, që nis me Prishtinën favorite për shkak të fitores së sotme, luhet më 18 prill në Vushtrri.