COPA AMERICA
Kili mbron titullin
27 June, 2016 @10:35
Për të dytën herë radhazi, Kili është shpallur kampion i “Copa America”, duke befasuar të gjithë, me Argjentinën që ishte favorite për ta fituar këtë takim.
Ndeshja ishte e ashpër dhe e tensionuar, ndërsa të dyja skuadrat mbeten me 10 lojtarë në fushë pas pjesës së parë. Fillimisht u përjashtua kiliani Diaz pas dy kartonëve të verdhë, ndërsa në fundin e pjesës së parë u përjashtua edhe Marcos Rojo i Argjentinës pas një vendimi ‘diskutabil’ të gjyqtarit.
Loja e ashpër dhe me raste për shënim në të dy anët vazhdoi edhe në pjesën e dytë, mirëpo goli nuk u gjet në 120 minuta dhe ndeshja u detyrua të shkojë në goditjen e penalltive, ku më të suksesshëm u treguan kilianët, të cilët shënuan 4 herë nga pika e bardhë. Në anën tjetër, për Argjentinën nga pika e bardhë gabuan Lionel Messi dhe Lucas Biglia dhe ndeshja u mbyll me Kilin kampion.
Ky është titulli i dytë në ‘Copa America’ në histori të Kilit dhe që të dy kanë ardhur pas fitores me Argjentinën në dy finalet e fundit në vitet 2015 dhe 2016.
“Këpuca e Artë” e turneut i takoi lojtarit kilian Eduardo Vargas, ndërsa portieri më i mirë u shpall poashtu kiliani Claudio Bravo.