COPA AMERICA 2021
Kolumbia në sekondën e fundit, siguron të tretën në Copa’21
10 July, 2021 @12:36
Luis Diaz ka shënuar një gol tepër të bukur në kohën shtesë të ndeshjes, për t’i sjellë vendit të tij, Kolumbisë, fitore 3-2 [Cuadrado 49, Diaz 66, 90+4 — Yotun 45, Lapadula 82] ndaj Perusë dhe kështu t’ia sigurojë vendin e tretë në Copa America 2021.
Yoshimar Yotun i kishte dhënë epërsinë peruanëve në pjesë të parë, që u neutralizua nga Juan Cuadrado nga gjuajtja e lirë në 1-1, menjëherë pas pushimit 15-minutësh të ndeshjes.
Ka qenë Diaz që ia dha epërsinë Kolumbisë para se Gianluca Lapadula të barazojë në 2-2. E derisa priteshin penalltitë me fundin e 90-minutave të lojës, në shtesa, ka qenë Diaz që i dha fund dilemave dhe shkurtoi pritjen.
“Jemi tejet të lumtur. Me rëndësi është që e kryem turneun me fitore, shumë e rëndësishme kjo. Jam i gëzuar gjithashtu si reaguam me lojë pas epërsisë së tyre në fillim të ndeshjes dhe kthyem gjithçka në favor tonin,” ka thënë Cuadrado në fund të ndeshjes, pasi që të përzgjedhurit e Reinaldo Ruedas kapën çmimin e tretë të turneut më të madh të shteteve të Amerikës Latine.
Peruanët e drejtuar nga argjentinasi Ricardo Gareca arritën me lojëra befasisht të bukura deri këtu, ndërsa për pak ata ndaheshin nga turneu me çmim, që nuk ndodhi në fund.
Argjentina, që kishte mposhtur Kolumbinë në gjysmëfinale të Copa America 2021, do të luaj ndaj Brazilit që kishte mposhtur Perunë, në finale të Copa America të dielën në mëngjes prej orës 02:00 për të përcaktuar fituesin e Copa America 2021.