COPA 2019: KILI - PERU 0-3
Guerrero me shokë prishin ëndrrat e kampionit
4 July, 2019 @8:13
Sulmuesi veteran i Perusë, Paolo Guerrero, ka shënuar në minutat shtesë të ndeshjes gjysmëfinale të Copa America 2019 një gol të bukur, dinak, qetë, për të siguruar fitoren 3-0 për ekipin e tij.
Peruja me këtë, ka arritur finalen e parë të Copa Americas pas 44 vitesh!
Peru mposhti kampionin aktual të Copa America, Kilin, 3-0 në mbrëmjen ku në pjesën e parë foli Peruja, e të dytën Kili.
Edison Flores (21’) i dha epërsinë, ndërsa Victor Yotun (38’) vulosi rezultatin e pjesës së parë 2-0 në të mirë të inkave.
Kili bëri gjithçka në pjesë të dytë për t’u rikhtyer, por ishte vonë... Peru tashmë ia prishi ëndrrën e tre titujve radhazi, gjë të cilën e ka arritur vetëm Argjentina (1945, 1946, 1947).
Më 7 korrik me kohën tonë në ora 22:00, Brazili - Peruja do të jetë finalja e madhe e Copa Americas, ku do të luftohet për trofeun jugamerikan.
E më 6 korrik, me kohën tonë në ora 21:00, Argjentina dhe Kili do të kërkojnë të jenë pjesë e podiumit fitues, që së paku të kthehen me medalje nga Brazili.