AKSIDENTI
Ngushëllimet për Florijanën nga UEFA-ja
3 July, 2019 @10:27
Përmes një komunikate, UEFA-ja ka shprehur ngushëllimet dhe dhimbjen për humbjen e jetës së futbollistes së Zvicrës me prejardhje nga Presheva, Florijana Ismaili.
“UEFA dhe komuniteti futbollistik evropian janë të shokuar dhe në dhimbje nga vdekja e Florijana Ismailit. I shprehim ngushëllime të thella familjes dhe miqve të saj në këtë moment,” është shkruar në njofimin që citon kreun e UEFA-së, Aleksander Ceferin.
Futbollistja 24 vjeçare humbi jetën gjatë në liqenin e Komos në Itali, pasi që kishte dalë me bashkëlojtare në ditë pushimi. Ajo konsiderohej e zhdukur nga e shtunja e kaluar, ndërsa dje u konfirmua vdekja e saj, kur iu gjet trupi.
Ismaili debutoi për Zvicrën në vitin 2014. Bëri 33 paraqitje dhe shënoi tre gola, ndërsa ka qenë pjesë e reprezentacionit në Kampionatin Botëror të femrave në Kanadë 2015. Ajo ka qenë pjesë e Young Boysit që nga viti 2011.