SOT, NDESHJA E KTHIMIT
Prishtina për kualifikim, Josa me 100% fitojmë
2 July, 2019 @10:36
Skuadra e Prishtinës në pasditen e sotme do të luaj ndeshjen e kthimit të raundit preliminar të Europa Ligës ndaj ekipit nga Gjibraltari St Josephs.
Dueli i zhvilluar javën e kaluar në Fadil Vokrri përfundoi befasisht 1-1 dhe tashmë bardhekaltërit nënkampionë do të duhet të kërkojnë patjetër golin në Gjibraltar.
Mirëpo, Prishtina nuk mund të llogaris në qendërsulmuesit e saj të lënduar, që mund të jetë problem! Alban Shillova, por edhe Basit Khalid janë të lënduar për këtë ndeshje.
Ndërkaq trajneri shqiptar i ekipit, Mirel Josa, ka bërë të ditur se skuadra nëse e jep 100%-shin në këtë ndeshje, do të fitojë.
“Është e rëndësishme të rikuperojmë skuadrën nga udhëtimi dhe të japim maksimumin nesër duke qenë se për ne ka shumë rëndësi ndeshja për vazhdimësinë e skuadrës, për mënyrën se si do të vazhdoj të ndërtohet kjo skuadër. Por, edhe për prestigjin tonë si futboll duhet se s’bën që skuadra të japi maksimumin. Unë jam i qetë për faktin sepse futbollistët i shoh, ata futbollistë që janë në gjendjen maksimale, jam i sigurt se do të japin njëqindpërqindtë dhe nëse futbollistët e japin këtë jam i sigurt që ne do ta fitojmë ndeshjen”, ka thënë kryetrajneri Josa.
Ndeshja St Joseph’s - Prishtina nis në ora 17:45 sot dhe luhet në stadiumin Victoria të Gjibraltarit, ndërsa referë të ndeshjes janë treshja nga San Marinoja, Luca Barbeno, Francesco Lunadron dhe Salvatore Tuttifrutti.
Kujtojmë, në ndeshjen e parë për Prishtinën kishte shënuar Armend Dallku nga penalltia në minutën e 28-të të ndeshjes, derisa Juanfri kishte barazuar në minutën e 32-të për St Joseph’sin, për rezultatin përfundimtar 1-1.
Bastorja e njohur bet365 Prishtinën e konsideron favorite për këtë ndeshje, duke e kuotuar me 1.57 për fitore. Barazimi është kuotuar me 3.90 ndërsa fitorja e St Jospeh’s 4.50.