STATISTIKA IMPRESIONUESE
Pse ekipet e mëdha turke e duan Vedatin?!
1 July, 2019 @14:40
Njëri ndër lojtarët më të përfolur në mediat turke këtë verë është sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi.
Muriqi, që kaloi një stinor të shkëlqyer te Rizespor, duke përfunduar i dyti në listën e golashënuesve më të mirë të Superligës turke, është bërë synim kryesor i Galatasarayit dhe Fenerbahçes për stinorin e ri.
Edhe pse përfolje ka shumë dhe asgjë nuk ka zyrtare, e përditshmja Turkiye ka bërë të ditur se Vedat Muriqi është shumë më i kërkuar nga ekipet e mëdha, sesa golashënuesi aktual më i mirë i ligës dhe lojtari i Galatasarayit Mbaye Diagne.
Diagne përfundoi stinorin në Superligë me 30 gola të shënuara, ndërsa Muriqi me 17. Mirëpo, sipas gazetës në fjalë, Muriqi është shumë shumë më i vyeshëm për ekip sesa senegalezi.
Muriqi ka fituar 5.1 topa mesatarisht për ndeshje në duele në ajër, në krahasim me Diagnen që ka 3.0 të fituara. Gjithashtu, në duele direkte me mbrojtësit kundërshtar, Muriqi është përpara me 47 krahasuar me 44 të senegalezit.
Kosovari 24 vjeç ka bilans të mirë edhe në aspektin mbrojtës kur ekipi kundërshtar sulmon, pasi që ka 0.6 topa të fituara për ndeshje, krahasuar me 0.2 të Diagnes.
Gjallëria e Muriqit në sulm dhe puna e tij e palodhshme, duket të jetë shumë më e konsideruar nga Galatasaray dhe Fenerbahçe, pse po e kërkojnë atë, derisa Galatasaray po tenton edhe shitjen e Diagnes për të pasur në radhët e veta Muriqin.