MË TË MIRËT E MË TË DOBTËVE
Ekipet e Kosovës, fitueset e vetme të raundit preliminar të Ligës së Kampionëve
29 June, 2019 @0:27
Qe dy stinorë, prej se po aplikohet raundi preliminar i kualifikimeve për Ligë të Kampionëve, këtë po e fitojnë ekipet e Kosovës.
Të njëjtën që e kishte arritur Drita e Gjilanit në stinorin 2018/19 në raundin preliminar të organizuar në Gjibraltar, këtë stinor 2019/20 në raundin preliminar të Ligës së Kampionëve e bëri Feronikeli në Kosovë.
Drita kishte fituar Santa Coloman e Andorrës pas vazhdimeve 2-0 në gjysmëfinale, për të mposhtur Lincoln Red Impsin 4-1, gjithashtu pas vazhdimeve në finale të raundit preliminar për të kaluar tutje.
Në raundin e parë kualifikues Dritës përballë i doli kampioni suedez Malmo, që fitoi në të dyja ndeshjet, 2-0 dhe 3-0, për të eliminuar gjilanasit nga gara e mëtutjeshme.
Pas kësaj, Drita kishte luajtur në raundin e dytë kualifikues në Europa League, për tu eliminuar edhe aty, nga Dudelange i Luksemburgut 2-1 dhe 1-1.
Kësaj radhe, Feronikeli u bë kampion i raundit preliminar. Ekipi nga Drenasi ka shënuar fitore në kohë të rregullt për dallim nga Drita në vitin e kaluar.
Nikli mposhti me golin e Mendurim Hotit ekipin e Lincoln Red Impsit 1-0, ndërsa me përmbysje kaloi Santa Coloman duke e mposhtur 2-1 dhe me një lojtar më pak në fushë, me golat e Mevlan Zekës dhe Kastriot Rexhës.
Tash Feronikelin e pret punë me The New Saints, kampionon e Uellsit. Ndeshja e parë do të luhet në Uells, më 9 korrik, ndërsa e kthimit në Prishtinë më 16 ose 17 korrik.
UEFA krijoi stinorin e kaluar raundin preliminar kualifikues për Ligë të Kampionëve, për 4 asociacionet me koefeicientin më të ulët ekipor në Evropë.
Ekipet e Kosovës, bashkë me ato të Gjibraltarit, San Marinos dhe Andorrës janë pjesë e saj qe dy vjet, duke mos arritur të çojnë koeficientin më lartë, për të dalë në raundin e parë kualifikues automatikisht.