MESFUSHORI ME PËRVOJË
Liria rikthen Alsid Tafilin
30 June, 2019 @15:22
Pas gati një dekade, futbollisti i Vllaznisë së Shkodrës, Alsid Tafili, është rikthyer te Liria e Prizrenit, ku ka luajtur në vitet 2010-2011.
Shkodrani Tafili, tash me mjaft përvojë, 31 vjeçar, pas vazhdimit të karrierës te Vllaznia dhe një stinori të kaluar te Partizani i Tiranës, rikthehet për të ndihmuar klubin bardhezi në misionin e rikthimit të tyre për në Superligë.
Liria në prezentimin e tij si lojtar i ri e ka quajtur kampion Alsidin, me të cilin ka fituar Kupën në vitin 2010. Bardhezinjtë i kanë uruar atij rikthimin në Prizren, ndërsa kanë paralajmëruar se ky është vetëm hapi i parë i kësaj vere te Liria, që do të mëtojë rikthimin e menjëhershëm në Superligë. Tafili më pas ka luajtur edhe për një gjysmësezon në vitin 2012 te bardhezinjtë, pasi që ishte ndarë me ekipin grek Panachaiki.
Përndryshe, ditë më parë Liria ka zyrtarizuar si trajner edhe Samuel Nikajn, që çoi Vushtrrinë drejt Superligës së fundi, duke ndarë kështu rrugët me trajnerin e deritashëm, Erdogan Celina.