PRISHTINA
Ekipi i parë nga Kosova, që mposhtet nga një ekip i Gjibraltarit
3 July, 2019 @11:52
Përveç që u eliminua në raundin preliminar të garave kualifikuese për Europa Ligë, Prishtina ka shënuar edhe një histori të keqe në përballjen e ekipeve kosovare me ato të Gjibraltarit.
Prishtina është bërë ekipi i parë nga Kosova që është mposhtur dhe eliminuar nga një ekip i Gjibraltarit, në këto tre stinorë sa ekipet tona po marrin pjesë në gara të UEFA-së.
Deri më tash, Drita, Feronikeli dhe Prishtina janë ndeshur me ekipet nga Gjibraltari dhe deri dje, asnjëra s’ishte mposhtur asnjëherë nga ekipet e këtij vendi.
Drita kishte mposhtur Lincoln Red Impsin në vazhdime 4-1 në sezonin e kaluar të kualifikimeve për Ligë të Kampionëve. Feronikeli mposhti sivjet të njejtin ekip. Prishtina kishte mposhtur më parë në kualifikime për Europa Ligë FC Europan 5-0 dhe kishte barazuar në ndeshjen tjetër 1-1.
E kësaj radhe bardhekaltërit nënkampionë të Kosovës, kanë regjistruar më të keqen. Pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë të zhvilluar në Prishtinë, ata u mposhtën 2-0 në ndeshjen e kthimit nga ekipi St Joseph’s, për të shënuar humbjen e parë të një ekipi kosovar në gara ndërkombtare nga një ekip i Gjibraltarit, dhe për tu eliminuar nga garat e mëtutjeshme evropiane për këtë stinor.