ANTE CACIC
Kokën lart, shkojmë në Rusi
2 October, 2017 @13:38
Përzgjedhësi i reprezentacionit të Kroacisë, Ante Cacic, në konferencën e parë për shtyp para ndeshjeve vendimtare në Grupin I të Kosovës që dërgon në Botëror, ka thënë se skuadra që drejton ai, përkundër të gjithave tashmë duhet të jetë më e bashkuar se kurrë për të arritur kualifikimin.
“Asnjëherë nuk kemi qenë më keq sesa tash në këto kualifikime. Në Turqi jemi mposhtur në një mënyrë jo të zakonshme. Në Islandë nuk kemi qenë në nivel të detyrës. Por, ajo që është me rëndësi është se nuk varemi nga askush. Duhet të fitojmë lojrat tona dhe të shkojmë përpara. Kokën lart, harroni problemet, me rëndësi është që Kroacia të shkojë drejt Rusisë,” ka thënë ndër të tjera Cacic sot, transmeton faqja zyrtare e Federatës së futbollit kroat, hns-cff.hr.
Kroacia është e para në Grupin I, por ka dy ndeshje të vështira për të siguruar vendin e parë në kualifikime, që jep biletën direkte për Botëror.
Të premten më 6 tetor luajnë ndaj Finlandës në shtëpi, ndërsa më 9 tetor udhëtojnë drejt Ukrainës për ndeshjen venimdtare. Ukraina me datën 6 tetor është mysafire e Kosovës në Loro Boriçi.