LËNDIMI
Kombëtarja në ethe, Mavraj lëndohet lehtë
25 March, 2015 @10:31
Qendërmbrojtësi standard i kombëtares shqiptare, Mërgim Mavraj, ka pësuar një lëndim të lehtë gjatë stërvitjeve me kombëtaren, që është vendosur aktualisht në Durrës.
Mavraj ka qenë shikues në stërvitjen e pasdites dje, duke e lënë të paqartë paraqitjen e tij në ndeshje me Armeninë, bëjnë të ditura mediat shqiptare që ndjekin seancat stërvitore të kombëtares.
Sot pritet t’i bëhet ekzaminimi mjekësore qendërmbrojtësit 29 vjeçar të kombëtares që luan për Kölnin në Bundesligë dhe të kuptohet serioziteti i lëndimit të tij.
Mavraj ka qenë pjesë e pandashme e kombëtares në tre ndeshjet e deritashme të zhvilluara në kuadër të Grupit I kualifikues dhe ka bërë një duo cilësore me kapitenin rekorder, Lorik Cana në zemrën e mbrojtjes kuqezi.
Mavraj ka qenë shumë afër të shënojë gol në ndeshje ndaj Serbisë në Beograd, që u ndërpre nga arsyet që i dimë të gjithë sot.