HUNGARIA - KOSOVA
Kosova bie në pjesën e dytë, pëson humbje në Budapest
26 March, 2024 @20:55
Pas fitores ndaj Armenisë, Kosova sonte pësoi humbje në miqësoren e dytë të muajit mars.
Sonte Kosova u mposht 2-0 nga Hungaria, në një takim që u vendos nga dy gola të shënuar në pjesën e dytë.
Goli i parë i hungarezëve u shënua nga kapiteni i Hungarisë, Dominik Szoboszlai, në minutën e 58’, e fitoren vendase e vulosi goli i futbollistit Zsolt Nagy në minutën e 86’.
Përkundër humbjes nga një kundërshtar që renditet i 27-ti në ranglistën e FIFA-së, paraqitja e Kosovës ishte mjaft e mirë në pjesën e parë, e më pas loja pati rënie të dukshme gjatë pjesës së dytë, si në fazën sulmuese, si në mbrojtje, që rezultoi me pranimin e dy golave.
Më të dalluarit në përgjithësi prej individëve ishin Edon Zhegrova e Donat Rudhani.
Ndeshjen e ardhshme Kosova e luan ndaj Norvegjisë më 5 qershor, ndeshje që gjithashtu është miqësore, e më pas në shtator fillon faza grupore e Ligës së Kombeve.