SKENDERAJ
Kryesia e KF Drenica jep dorëheqje
18 November, 2021 @10:53
Pas ankesave të ardhura nga trajneri aktual i ekipit Tahir Lushtaku lidhur me gjendjen mjeruese financiare në klub, mbrëmë faqja zyrtare e KF Drenica në Facebook ka bërë të ditur se kryesia e klubit ka dhënë dorëheqje.
Dhe arsyet e dorëheqjes së kryesisë kanë qenë pikërisht pamundësia e financimit të klubit dhe pagesa e obligimeve të grumbulluara.
“Kryesia e klubit pas situatës së krijuar ka dhënë dorëheqje nga drejtimi i klubit. Dorëheqja vjen si rrjedhojë e pamundësisë së financimit të klubit dhe pamundësisë për t’i përmbushur obligimet e klubit. Nga sot, klubi është i hapur për të gjithë të interesuarit për të mbështetur klubin dhe për të investuar në klub, për ta çuar atë përpara,” ka shkruar ndër të tjera njoftimi i klubit kuqezi nga Bajram Aliu.
Kështu, komunikata e lëshuar me “nënshkrimin” e Mustafë Bajraktarit ka bërë të ditur se tashmë Drenica është në krizë të thellë sezonale me financa.
Mbetet të shihet në ditët në vijim se çka do të ndodh me klubin. Ndërsa ekipi këtë fundjavë udhëton për në Gjilan për tu ndeshur me nënkampionen aktuale të Superligës, KF Drita.
Sa i përket futbollit në fushë, Drenica ka pasur startin ndër më të mirët këtë stinor, duke qenë një kohë të gjatë në luftë me kreun e renditjes dhe tash pas 13 xhirosh përsëri është në pjesë të epërme të renditjes tabelare, duke qenë vetëm katër pikë larg nga lideri, Ballkani
.