ARMATA E VERIUT
Kukësi nis misionin Europa League
1 July, 2014 @14:50
Nënkampioni i Shqipërisë, Kukësi, është nisur sot në orët e mesditës për në Kazakistan, në fakt Almaty.
Kukësianët pasnesër do të zhvillojnë ndeshjen e parë kualifikuese të raundit të parë të Europa Leaugue ndaj Kairat Almatyt.
Edhe kundërshtari i Kukësit është nënkampion i vendit të tij, derisa Kukësi i përforcuar shpreson që të nxjerrë rezultat sa më të mirë për përballjen e dytë që zhvillohet në Shqipëri.
Futbollisti më i njohur i kazakëve është sulmuesi spanjoll, Sito Riera, që stinorin e kaluar ka luajtur kundër kampionit të Shqipërisë, Skënderbeut, në kualifikime për Europa League gjithashtu.
Kukësi këtë stinor ka bërë përforcime të mëdha në sulm duke e marrë futbollistin e Drenicës, Kushtrim Lushtaku si dhe goleadorin e Superiores shqiptare, kroatin Pero Pejic. Te Kukësi gjithashtu luajnë edhe Yll Hoxha e Besar Musolli - që janë dalluar me paraqitjet e tyre në stinorin e kaluar të Europa League. Hoxha është edhe anëtar i përfaqësueses së Kosovës.
Ndeshja e kthimit luhet një javë më vonë.