DITARI RUS (21)
Kush e rrezikon finalen e madhe për shikues?
Shkruan: LUAN MORINA
15 July, 2018 @13:12
Një muaj më pas, dhe jemi para një ndeshje që askush nuk e kishte pritur. Si Franca, ashtu edhe Kroacia kanë kaluar nëpër një rrugë që s’mund të konsiderohet e lehtë, e aq më pak dominuese në krahasim me kundërshtarët tjerë. Siç kam përmendur më parë, që të dyja lojën më të bukur e kanë bërë kundër Argjentinës, e cila duhej më në fund me ‘magjinë’ e Messit të fitonte një Kupë të Botës.
Sigurisht që as ndeshjet tjera nuk kanë qenë të lehta, aq më pak penalltitë e kroatëve. Kroatët kanë qëndruar në fushë për një ndeshje më shumë se francezët, të cilët sigurisht që mund të konsiderohen favoritë edhe pa këtë përparësi. Por, në fund të sezonit me lojtarë si Ivan Rakitic që ka luajtur 70 ndeshje, edhe 5 minuta pushim mund të jenë vendimtarë.
Ende nuk e kuptoj angazhimin e Luka Modricit në ndeshjen kundër Islandës, për 65 minuta të panevojshëm!
Dhe titulli i më të mirit të botës mund të përcaktohet, do të përcaktohet nga dueli Kante – Modric. E kuptueshme që të dy janë mesfushorë me tipare të ndryshme ndërmjet vete, por gjithçka në ekipin e tyre vare nga forma e tyre.
Mendoj që Kante mund të marrë titullin para Modricit, vetëm nëse i dalin në ndihmë pjesa tjetër e mesfushës. Një gjë e tillë nuk dyshoj që mund të vihet në pikëpyetje tek Kroacia. Modrici është lider i pakontestueshëm, shumë thjeshtë Pogba nuk është më bashkë-lojtar se sa Ivan Rakitic.
Kroatët kanë gjetur edhe Perisicin, në kohën e duhur, mu atëherë kur Rebic ka nisur të shfaq shenjat e lodhjes. Mungesa eventuale e Perisicit dhe Strinicit, që të dy ankoheshin në lëndim muskujsh, mund të krijoj një anë të lëndueshme në të majtën e kroatëve.
Varet prej gatishmërisë së Mbappes për të sulmuar, dhe me angazhimin e Griezmannitnuk e kanë problem të ndërrojnë krahët. Matuidi mund të mos luajë për shkak të lëndimit, por francezët kanë mbuluar mirë mungesën e tij me Tolisson në ndeshjen me Uruguain.
Kam frikë që do të jetë një ndeshje pa shumë gola. Do të ishte e dobishme për fansat neutral që kroatët të shënonin para francezëve, pasi me një gol, francezët do të ‘bunkerizoheshin’ për minutat e mbetur të ndeshjes. E kotë, por e mençur. Kush dëshiron të rrezikoj historinë, titullin më të madh në botën e sportit për argëtimin e shikuesve?!