HUAZIMI
Lampard, vazhdon me Cityn
23 September, 2014 @15:20
Mesfushori veteran anglez, Frank Lampard, ka vazhduar konrtatën e huazimit me ekipin e tij, Manchester City.
Lampard 36 vjeç i cili shënoi golin vendimtar për ekipin e tij të ri në fundjavë, ndaj ekipit të tij të vjetër, Chelsea, ka pasur marrëveshje me Manchester Cityn deri në fund të këtij viti.
I zgjatet afati
Mirëpo, me marrëveshjen e re ai do të mund të qëndrojë te kampioni i Anglisë, deri në muajin shkurt, që do të thotë se do të zhvillojë edhe një ndeshje ndaj Chelseat, që është përcaktuar të luhet më 31 janar të vitit të ardhshëm.
Lampard nuk festoi golin e parë të tij me Cityn, për shkak të respektit për Chelsean, ku cilësohet si legjendë e klubit.
Rrugëtimi
Lampard me të përfunduar stinori i kaluar u la i lirë nga Chelsea dhe nënshkroi kontratë me ekipin e posakrijuar të ligës profesionale amerikane, MLS, New York City, për të cilët mund të luaj që nga fillimi i vitit të ardhshëm, për shkak të licencimit të ekipit.
Pasi që ky ekip ka aksionarët e njejtë me ata të Manchester Cityt, kampioni i Anglisë ka shfrytëzuar rastin ta ketë në radhët e veta njërin ndër lojtarët më të mirë të dekadës së fundit që ka prodhuar ishulli.
Me barazimin në fundjavë, Lampard prishi ecurinë perfekte të Chelseat në Premier League, që deri në atë ditë kishte vetëm fitore.