FTESAT E KOSOVËS U21
Lëndimet dhe ftesat, sjellin Dellovën, Manajn, etj. te Kosova U21
11 November, 2019 @17:04
Përzgjedhësi i Kombëtares U21, Rafet Prekazi, e ka bërë publike listën e futbollistëve me të cilët do t’i kundërvihet Austrisë, në ndeshjen e radhës kualifikuese për Kampionatin Evropian, që zhvillohet më 15 nëntor në Ried.
Kësaj radhe Kombëtarja U21 ballafaqohet me mungesa të shumta: Arbenit Xhemajli është i grumbulluar me Kombëtaren A, Besfort Kolgeci, Kreshnik Hajrizi, Arton Zekaj dhe Lirim Kasrati (Bologna) janë të lënduar, derisa Leard Sadriu është grumbulluar me Kombëtaren U19 për kualifikimet në Uells.
Kësisoj, për herë të parë pjesë e Kombëtares U21 do të jenë Lumbardh Dellova nga Hajduku dhe Ismajl Beka nga FC Wil 1900, Donat Rrudhani nga FC Aarau, Luftëtar Mushkolaj nga TSV 1860 Rosenheim, Meriton Kastrati nga SC YF Zurich, Arb Manaj nga FC Trepça’ 89 dhe portieri i FC Dritës, Dorart Ramadani.
Kombëtarja U21 nesër udhëton për në Austri dhe atje do të mbajë stërvitjet për këtë ndeshje të rëndësishme.