SUPERLIGA
Liderët, lehtë këtë xhiro
28 April, 2013 @9:44
Prishtina pret sot Vëllaznimin në stadiumin e qytetit për të konfirmuar lidershipin në tabelë dhe epërsinë pesë pikëshe ndaj ndjekësit kryesor dhe të vetëm, Trepça 89. Mirëpo, në anën tjetër gjakovarët, që po lufotjnë për mbijetesë, presin së paku të marrin ndonjë pikë, pasi që janë të rrezikuar në luftë për mbijetesë. Përkundër se këtë stinor me qëllime të kundërta, ndeshja ndërmjet Prishtinës dhe Vëllaznimit gjithmonë është derbi në vete dhe stadiumi i qytetit, plus koha e mirë, premtojnë ndeshje interesante.
Trepça 89 pritet të ketë punë të lehtë sot ndaj Lirisë së Prizrenit, e cila është fundosur këtë stinor në Superligë. Me Shpëtim Idrizin në formë, mitrovicasit duan të këndellen pas kiksit të bërë në Gjakovë, ku barazuan ndaj Vëllaznimit.
Hysi dhe Kosova e Vushtrrisë luajnë derbin e mbijetesës sot. Ekipi i Hysni Maxhunit do të dalë për fitore sot përkundër se e ka terrenin e suspenduar. Ndërkaq vushtrriasit do të kërkojnë që të shfrytëzojnë terrenin neutral për ndoshta një fitore që do t’i nxjerrte ata nga zona e rrezikshme.
Ndeshjet tjera që luhen sot, ajo në mes të Dritës dhe Ferronielit si dhe Besës dhe Drenicës llogariten si ndeshje luksi, pasi që përveç Drenicës së cilës i duhen pak më shumë pikët, të tjerat janë rehatuar.