LIRIA - FERONIKELI
Lideri sigurtë, Liria radhit humbjet
8 April, 2019 @17:41
Ishte minuta e parë e ndeshjes kur Liria fitoi një goditje nga këndi. Topi arrin te Ilir Mustafa i cili dridh shtyllën e kundërshtarit. Kjo ishte e tëra për Lirinë sot.
Që prej minutës së pestë të lojës, lideri i Superligës Feronikeli ka marrë lojën në dorë dhe ka nisur dominimin me golat e shpejtë. Së pari lideri i golashënuesve të Superligës Kastriot Rexha (8’) shënoi, ndërsa më vonë dyfishoi (37’) epërsinë e ekipit të tij për të shkuar qetë në pauzën 15 minutëshe.
Në pjesë të dytë, Liria i jep zor edhe njëherë për të bërë diçka ndaj liderit dhe pastaj pëson nga ish lojtari, Mevlan Zeka, që u fut si zëvendësues për të çuar Feronikelin 0-3 (70’) në epërsi. E deri në fund të ndeshjes ka qenë edhe zëvendësuesi tjetër, Albert Dabiqaj (90’) që vendosi rezultatin përfundimtar të ndeshjes, 0-4.
Derisa Feronikeli vazhdon ritmin perfekt të kapur në Superligë dhe po udhëheq vallen drejt titullit kampion, Liria është në halle tjera.
Prizrenasit nuk kanë shënuar tashmë fitore mbi një muaj dhe në pesë xhirot e fundit kanë marrë një pikë të vetme dhe kanë rreshtuar 4 humbje.
Në xhiron që vjen Lirinë e pret dueli jetik me rivalin për rënie Flamurtarin. Por ndeshja do të zhvillohet në Prishtinë dhe pritet të luhet në Fadil Vokrri.
E në anën tjetër Feronikeli do të ketë punë ndaj Ferizajit, që gjithashtu lufton për mbijetesë këtë stinor.